Kryediplomati amerikan John Kerry pritet të takohet me ministrin e Jashtëm iranian dhe me shefen e Politikës së Jashtme të BE-së, në Oman gjatë 9-10 Nëntorit, për të diskutuar në lidhje me çështjen bërthamore të Iranit, përpara skadimit të afatit për një marrëveshje përfundimtare.
Lajmi është bërë i ditur nga Departamenti amerikan i Shtetit gjatë së premtes, teksa takimi i Kerryt në Muscat të Omanit me Javad Zarif dhe Catherine Ashton do të mbahet pikërisht 2 javë përpara afatit të 24 Nëntorit, të vendosur ndaj Teheranit nga 6 fuqitë madhore të botës për të arritur një marrëveshje afatgjatë, mbi programin bërthamor të Iranit.
Mbledhja e nivelit të lartë është e radhës e një serie të gjatë takimesh, që priten të mbahen gjatë javëve të fundit përpara afatit përfundimtar. Përpara se të niset drejt Omanit, Ashton do të takohet me zyrtarë të lartë të Ministrive të Jashtme të 6 superfuqive – Britanisë, Kinës, Francës, Gjermanisë, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara – në Vjenë më 7 Nëntor, ka njoftuar nga ana tjetër zëdhënësi i Ashtonit, Michael Mann.
Përfaqësuesit e kësaj gjashtësheje do të takohen sërish në Vjenë, këtë herë edhe me delegacionin e plotë iranian më 18 Nëntor, me shpresën për të arritur akordin, ndërsa BE-ja koordinon negociatat në emër të të gjashtë fuqive më të mëdha industriale të botës.
“Synimi i bisedimeve është arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Iranin brenda 24 Nëntorit, sipas së cilës komuniteti ndërkombëtar do të sigurohet në lidhje me natyrën ekskluzivisht paqësore të programit bërthamor të Teheranit”, tha në një deklaratë Mann.
Javën e kaluar, kryenegociatori amerikan në bisedimet me Iranin, nën-Sekretari i Shtetit Wendy Sherman, tha se Irani do të shihet gjerësisht si përgjegjës, nëse një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për të mbajtur nën fre programin bërthamor të tij nuk do të arrihet.
Top Channel