Burkina Faso, shpërndahen Parlamenti e qeveria

31/10/2014 00:00

Ushtria e Burkina Fasos shpërndau Parlamentin dhe njoftoi krijimin e një qeverie tranzicioni gjatë së enjtes, pas shpërthimit të protestave të dhunshme kundër Presidentit Blaise Compaore, megjithatë ai do të mbetet në krye të vendit.

Shefi i ushtrisë, Gjeneral Honore Traore, tha se qeveria e re duhet të krijohet pas konsultave me të gjitha partitë politike dhe duhet ta udhëheqë vendin drejt zgjedhjeve brenda 12 muajve të ardhshëm. Ai njoftoi gjithashtu edhe gjendjen e jashtëzakonshme dhe situatën e shtetrrethimit nga ora 19 e mbrëmjes deri në 6 të mëngjesit.

Kjo lëvizje vjen menjëherë pasi dhjetra mijëra protestues të irrituar dolën në rrugët e Ouagadougout të enjten, me kërkesën për largimin e Presidentit Compaore, duke mësyrë Parlamentin dhe duke i vënë zjarrin atij, por duke shkatërruar edhe televizionin shtetëror.

Të paktën 3 protestues u qëlluan për vdekje dhe dhjetra të tjerë janë plagosur, kur forcat e sigurisë u detyruan të hapnin zjarr ndaj turmës.

“Duke parë nevojën për ta shpëtuar vendin nga kaosi dhe për të ruajtur bashkimin kombëtar, Asambleja Kombëtare është shpërndarë, ashtu sikurse është shpërbërë edhe qeveria”, tha Traore në një konferencë për shtyp.

Gjithsesi, ai refuzoi të thoshte nëse Compaore, përpjekja e të cilit për të zgjatur më tej regjimin e tij 27-vjeçar ka nxitur tensione prej muajsh në Burkina Faso, do të mbetet apo jo në krye të shtetit.

Blloku rajonar i Afrikës Perëndimore (ECOËAS) kishte njoftuar më herët se nuk do të pranonte asnjë rrëmbim pushteti përmes mënyrave antikushtetuese, duke ushtruar në njëfarë mënyre presion diplomatik për të lënë Compaoren në pushtet.

Përpara njoftimit të ushtrisë, Presidenti kishte mbajtur deklaratën e tij personale, duke shpallur gjendjen e emergjencës dhe duke i dhënë kontrollin ushtrisë, si dhe duke bërë thirrje për bisedime me opozitën.

Më vonë, ai ka bërë të ditur se do të largohet nga pushteti në fund të qeverisë së tranzicionit, duke lënë të kuptohet se do ta udhëheqë sërish vendin deri në zgjedhjet e reja.

Protestuesit u irrituan nga përpjekja e qeverisë për të kaluar një ndryshim kushtetues në Parlament, i cili do t’i lejonte 63-vjeçarit Compaore të synonte rizgjedhjen vitin e ardhshëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA