Qeveria po përgatit paketën e re fiskale, ndërkohë që ndryshme të rëndësishme në fushën e tatimeve janë ndërmarrë tashmë. Por si i sheh biznesi këto ndryshime? A është dëgjuar zëri i sipërmarrjes private? Cilat janë propozimet për paketën fiskale?
Për t’iu përgjigjur këtyre dhe të tjera pyetjeve në Revistën Televizive të Mbrëmjes në Top Channel ishte i ftuar kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka.
***
Pandi Gjata: Zoti Jaka përshëndetje. Do të flasim për zhvillimet ekonomike. Të qendrojmë tek të dhënat e INSTAT për rritjen ekonomike të 3-mujorit të dytë, ku sipas INSTAT pati një rënie me 0.61 përqind. Palët e komentuan në forma të ndryshme, qeveria flet për rritje të ekonomisë, opozita thotë se jemi në krizë ekonomie. Biznesi që është një aktor shumë i rëndësishëm në ekonomi, si e shikon këtë situatë?
Nikolin Jaka: Do doja ta nisja me një sinjal që realisht merr dhe percepton qoftë biznesi, qoftë sipërmarrja private, atë konkurencë të madhe që bën opozita për të promovuar lajmin e keq dhe nga ana tjetër është mëse normale që mazhoranca të formulojë apo argumentojë që kemi të bëjmë me një rritje ekonomike apo një sinjal pozitiv të dhënë nga ekonomia shqiptare. Statistikat flasin. Është mëse normale që INSTAT, në rastin konkret herë pas herë INSTAT deklaron shifra që janë objektive, shifra që realisht pasqyrojnë të vëretën dhe që normalisht duhet të merren masat për të patur sinjale të qarta të rritjes ekonomike dhe të zhvillimit ekonomik. Ajo cfarë sipërmarrja ndjen është që nuk kemi një pritshmëri të kërkuara dhe të duhura, pas një viti qeverisje. Duhet të kishte sinjale të qarta për një rritje ekonomike të qartë dhe nuk duhet të pranohet në asnjë mënyrë nivele me minus në asnjë 3-mujor. Kjo është qartësisht një detyrë për qeverinë shqiptare dhe politikën në tërësi që këto shifra janë të papranueshme, pavarësisht argumentit se ku çalon dhe ku nuk çalon. Janë detyrimet e qeverisë shqiptare, të ministrave konkretë që duhet të kenë hartimin e strategjive të qarta që rritja ekonomike të jetë prezente.
Pandi Gjata: Kohët e fundit po shqyrtohet nga qeveria mundësia e rritjes së disa taksave. A ndikojnë ato tek biznesi dhe nëse po sa?
Nikolin Jaka: Ne u përballëm me një rritje taksash në dhjetor të 2013-ës kur qeveria shqiptare kaloi një paketë të plotë kur ndryshoi taksën e sheshtë duke e rritur 50 përqind atë, ndryshoi edhe tatimin mbi të ardhurat. Kemi patur ndryshime të akzicave dhe të taksave në mënyrë periodike. Sapo kaloi ligji i TVSH-së dhe nuk u morën parasysh kërkesat e biznesit për të përjashtuar disa sektorë të ekonomisë nga TVSH, apo për të patur diferencime për disa sektorë të tjerë siç është bujqësia dhe turizmi ku ekzistojnë precedentë në Bashkimin Europian apo në vende të rajonit, të cilat i suportojnë për ekonominë në mënyrë që të jenë prezentë në ekonomi qoftë me produkte, qoftë me shërbime dhe ajo çfarë na bën përshtypje është që realisht Ministria e Financave na ka kontaktuar nëpërmjet shkresave zyrtare për të dhënë mendimet tonë. Kur në përgjithësi të gjitha institucionet e biznesit kanë dërguar propozimet e tyre duke qenë unikë në mosndryshimin e sistemit të taksave që është aktualisht. E mirëkuptojmë qeverinë për detyrimet që ka ndaj kreditorëve të saj, sepse ishte një kreditor që do të mbulonte atë gropë të ekonomisë që ishte krijuar për një periudhë të gjatë kohore. Realisht mirëkuptojmë angazhimet për të qenë korrekt në mbajtjen e premtimeve, por ne jemi të angazhuar dhe jemi të fokusuar që nuk është rritja e taksave ajo që bën qeverinë të mbledhë më shumë taksa, por është mënyra e administrimit të mbledhjes së taksave, mënyra e hartimit të një strategjie të qartë për formalizimin e qeverisë që bën qeverinë të përmbajë të gjitha premtimet e dhëna ndaj FMN-së dhe ndaj qytetarëve shqiptarë. Duhet të fokusohemi tek formalizimi i ekonomisë dhe aq më tepër që shifrat për formalizim flasin shumë pak.
Pandi Gjata: Thatë që keni bërë një sërë propozimesh që i paraprinë miratimit të paketës së re fiskale, janë propozime konkrete. Si mund të ndikojnë dhe çfarë efektesh do të kenë nëse merren parasysh?
Nikolin Jaka: Ne kemi ngritur zërin shpesh edhe gjatë fushatës edhe gjatë konsultës që kemi patur me qeverinë shqiptare për atë që kërkon sipërmarrja. Vazhdohet të operohet me metoda dhe sindroma të të kaluarës. Është e çuditshme se sa shpejt infektohen shtetarët dhe ministrat nga formulat e parazitizmit të ish-ministrave duke injektuar dhe duke propozuar ligje apo sisteme fiskale të pakonsultuara siç duhet, pa marrë mendimin nga sipërmarrja private, por duke i injektuar ato si mënyra apo receta më e mirë për sipërmarrjen. Realisht duhet të dëgjohet sipërmarrja. Ne kemi propozuar shumë ide, shumë propozime të argumentuara dhe të logjkshme, një ndër to është ajo që thamë për ligjin e TVSH-së, kemi kërkuar dhe vazhdojmë kërkojmë që të mos ndryshojë sistemi fiskal, pasi parashikohet që mund të kemi një rritje të të ardhurave mbi të ardhurat personale, pra dividenti në rastin e korporatave, mund të ketë lëvizje, sapo pësuam një lëvizje mbi akcizën e duhanit dhe karburanteve bio. Kemi kërkuar edhe subvencione të tjera të cilat mund të bëhen qoftë nëpërmjet metodave të paketës fiskale duke e lehtësuar, apo duke marrë parasysh edhe paketat apo ofertat që kanë qeveritë e rajonit, qeveri të cilat realisht ne konkurojmë për të tërhequr sipërmarrësit e huaj, por s’duhet të harrojmë që një rol të rëndësishëm në ekonominë e një vendi luan sipërmarrja vendase, aq më tepër kur Shqipëria karakterizohet nga emigracioni i madh që pretendohet që tashmë të rikthehen në Shqipëri dhe të implementojnë financat e tyre me sukses në ekonomi.
Pandi Gjata: A keni patur diskutime me përfaqësues të qeverisë mbi këtë propozim?
Nikolin Jaka: Dhoma e Tregtisë i ka bërë publike nëpërmjet konferencave të saj, por njëkohësisht edhe në faqe. Qendrojmë fort në mbrojtjen e sistemit, por qendrojmë fort edhe në kërkesa konkrete në mënyrë që të ketë edhe përjashtime. Kërkojmë përjashtimin e tatim-fitimit për sipërmarrjet e reja, kërkojmë parqe ekonomike, zona të lira ekonomike që të fokusohemi drejt një rentabiliteti të ekonomisë duke u bazuar tek inovacioni dhe teknologjia dhe jo duke reklamuar punësimet në një industri ku realisht janë më shumë robëruese se sa përfituese për ekonominë shqiptare.
Pandi Gjata: Pra prisni që të keni një takim me përfaqësuesit të qeverisë për gjithë këto propozime që keni bërë?
Nikolin Jaka: Presim që të kemi një takim objektiv, konsultativ dhe në kuadrin e një partneriteti të drejtë ashtu siç e meriton sipërmarja private.
Pandi Gjata: A vijon Këshilli Kombëtar Ekonomik? A ka patur diskutime?
Nikolin Jaka: Për hir të së vërtetës Këshilli Ekonomik Kombëtar është një institucion që thirret nga Sekretariati dhe drejtohet nga Kryeministri. Është një këshill që nisi me shumë optimizëm, entuziazëm pasi mendohej se do të diskutonte dhe do të zgjidhte problematika të mëdha të ekonomisë shqiptare. Janë diskutuar programe, paketa, kontrata me FMN, shumë vendime të rëndësishme, por realisht Këshilli Ekonomik është një institucion që diskuton por nuk merr vendim, pra trajton në bisedë të lirë gjithë problematikën dhe gjithë perspektivën. Ka raste që trajtohen pasi ka kaluar në Kuvend apo në qeveri, e cila realisht kemi qenë të gjithë unik, që një ligj para se të kalojë në Kuvend apo qeveri duhet të diskutohet në Këshillin Ekonomik, qoftë në mënyrë elektronike që secili të japë mendimin e vet sepse nuk duhet që takimi, apo koha të bëhet pengesë për të dhënë mendimet. Shpresojmë që të rregullohet. Kemi sugjeruar që Këshilli të jetë më aktiv.
Pandi Gjata: Në fushën e diskutimit të paketës fiskale, mund ta rikthejë diskutimin?
Nikolin Jaka: Të jetë në nivelin e duhur për marrjen e vendimeve të duhura. Është një Këshill ku pjesa më e madhe përbëhet nga sipërmarrja private. Pra përfaqësues të biznesit dhe të institucioneve të biznesit dhe realisht ne shpresojmë që duhet të ketë rolin e duhur që të ndjehet pesha e sipërmarrjes, të plotësohen të drejtat e sipërmarrjes duke funksionuar Këshilli Ekonomik.
Top Channel