
Qeveria ka nisur atë që e cilëson si aksionin e tretë më të rëndësishëm,
pas Lazaratit dhe prishjes së ndërtimeve pa leje, për arrestimin e të
gjithë atyre që vjedhin energjinë elektrike.
Gjatë prezantimit te planit per kete operacion, ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri tha se sektori i energjisë në vend është në prag të kolapsit financiar dhe se për këtë nevojitet ndërhyrja e menjëhershme e shtetit.
“Edhe sikur për momentin të mendonim që me sustën magjike do të eliminomin të gjitha humbjet, apo hetimet do t’i bënim 100 për qind, për shkak të keqmenaxhimit dhe mosplanifikimit të duhur energjetik, por edhe kostove të shtuara nga ky keqmenaxhim, sektori në vetvete gjeneron gati 8 miliardë lekë humbje çdo vit, deficit financiar. Pjesa më e madhe e energjisë në këtë vend sigurohet nga importi apo me çmime importit. Kaskada e famshme e Drinit përballon jo më shumë se sa 50 për qind”, tha Gjiknuri.
Kryeministri Edi Rama tha se nuk është varfëria ajo që detyron qytetarët të vjedhin energjinë elektrike.
“Nëse varfëria apo pamundësia ekonomike do të ishte me të vërtetë një arsye e pakapërcyeshme, për të vjedhur energjinë elektrike, a di kush të më thotë pse nuk ekziston një pensionist që vjedh energjinë elektrike? Nuk është varfëria, arsyeja pse edhe në këtë sallë, nga ata që kanë ardhur si punonjës të Kompanisë së Shpërndarjes ka bashkëpunëtorë të hajdutëve të energjisë elektrike. Nuk besoj se e bëjnë nga varfëria vjedhjen e energjisë elektrike kompanitë e mëdha, lokalet në qendër të Tiranës që paguajnë energji elektrike sa një konsumator familjar dhe ashtu sikundër nuk janë të varfërit, nuk janë ata që lidhin energjinë për të ndriçuar pocin apo për të ndezur televizorin, arsyeja pse ne zhytemi çdo vit 150 milionë euro në gropë”, tha Rama.
Kryeministri tha se Qeveria është e vendosur të frenojë vjedhjen e energjisë elektrike edhe nëse kjo do të përkthehej në kosto politike për maxhorancën aktuale. Por për këtë, ai u kërkoi gjykatave të zbatojnë ligjin, duke dënuar me 3 deri në 5 vite burg vjedhësit e energjisë.
“Se si një gjykatës mund të vendosë rilidhjen e energjisë për konsumatorë, të cilët kompania, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit i konstatojnë në vjedhje dhe për të cilët kërkojnë dënim, dhe në vend se t’i cojnë në burg zhyt në borxhe gjykatësi kompaninë e shpërndarjes, duke thënë ‘rilidhja energjinë’, kjo është një gjë që mbetet për studiuesit. Ajo që mbetet për ne, është që t’i kërkojmë prokurorisë dhe Gjykatës që të mos kenë diskrecion në këtë proces”, theksoi Rama.
Kreu i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike Arben Seferi justifikoi heqjen e fashës mbrojtëse prej 300 Kv/orë, me ato që ai i cilësoi si abuzime të qytetarëve dhe punonjësve të OSHEE-së.
“Në mungesë të një studimi të mirëfilltë, që do të identifikonte se cilat ishin vërtet familjet në nevojë, u vendos që kjo fashë të aplikohej për të gjithë abonentët familjarë. Pra, si një pensionist apo person me aftësi të kufizuara, ashtu edhe një biznesmen paguajnë njëlloj, me një çmim më të ulët, se sa kosto reale e energjisë, që blihet nga kompania, duke shkaktuar dëme financiare që shtohen dita-ditës. Gjithashtu, fasha u bë burim abuzimi, pasi stimuloi vjedhjen nga vetë punonjësit, të cilët ofruan mënyra përfitimi për abonentë që ulin konsumin me para nën dorë, për faturistë apo elektricistë”, tha Seferi.
Top Channel