Rritet besueshmëria e ekonomisë shqiptare

11/10/2014 00:00

Gjigandi ndërkombëtar i Financave, “Standard and Poor`s” rriti për herë
të dytë brenda pak muajsh besueshmërine e ekonomisë shqiptare dhe
financave publike të vendit.

Përmes një njoftim zyrtar agjencia e mirënjohur e vlerësimit, njoftoi se nota për kredibilitetin e borxhit publik të Shqipërisë rritet nga B stabël në B me prespektivë pozitive.

Sipas “Standard and Poor’s”, ky vendim vjen teksa Qeveria e re vijon planin ambicioz për uljen e deficitit dhe reformimin e sistemit gjyqësor.  Një ndër dy kompanitë më të mëdha në botë për vlerësimet financiare, “Standard and Poor’s” beson që Shqipëria do të arrijë të ulë deficitin buxhetor në 2 për qind brenda vitit 2017. 

Ndër arsyet e tjera të përmirësimit ajo liston reformat strukturore, duke përfshirë  forcimin e të drejtës së pronës, zbatimin e ligjit dhe  programin e nisur për konsolidimin e financave publike. Megjithatë gjigandi amerikan vlerëson se korrupsioni dhe ngërçi i pronave vazhdojnë të rëndojnë mbi ekonominë e vendit dhe pengojnë investimet e huaja. 

Që prej vitit 2007, kur u vlerësua për herë të parë borxhi publik i Shqipërisë është klasifikuar në B stabël. Në mesin e vitit të kaluar kur ekonomia nisi të rrokullisej dhe financat publike të përkeqësoheshin me shpejtësi, si “Standard and Poor’s” ashtu edhe mudis e ulën menjëherë vlerësimin për Shqipërinë në B me prespektivë negative.

Por vetëm pak muaj më vonë, pas rrotacionit politik dhe nënshkrimit të marrëveshjes me FMN të dy agjencitë rikthyen notën B stabël dhe tani shkalla ngjitet sërish në B me prespektivë pozitive. Sipas “Standard and Poor’s”, ky vlerësim mund të përmirësohet më tej nëse rritja ekonomike e vendit do të përshpejtohet, një zhvillim ky i mirëpritur në kushtet kur vitin e ardhshëm Shqipëria pritet të ritkhehet në tregjet financiare botërorie për të rinovuar kredinë tregtare 300 milionë euro të marrë përmes eurobondit.

Top Channel