Bushati: Të bashkëpunojmë për integrimin

08/10/2014 00:00

Të martën Ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin i dorëzoi Kryeministri Edi Rama progres-raportin për këtë vit. Progres-raporti vlerësoi arritjet që i atribuohen marrjes së statusit të vendit kandidat ndërsa nënvizoi edhe shqetësime.

Për të biseduar në lidhje me arritjet dhe shqetësimet e Brukselit për vendin tonë në lidhje direkte me edicionin qendror informativ të Top Channel ishte i ftuar Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati.

Ilir Paço:
Një prej shqetësimeve të progres-raportit është lufta ndaj korrupsionit, cili është angazhimi i qeverisë që në raportin e vitit tjetër të mos kemi të njëjtin shqetësim të ngritur si në raportin e sivjetëm?

Ditmir Bushati, Ministër i Jashtëm:
Progres-raporti analizoi dhe konfirmoi të gjitha arritjet e reformave që ka ndërmarrë qeveria dhe gjithë institucionet e shtetit shqiptar, përfshirë këtu reformat në ndërtimin e një shteti demokratik, pra sundimi i së drejtës, lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit. Vlerëson vullnetin politik të qeverisë për të adresuar këto cështje. Pavarësisht arritjeve korrupsioni vijon të mbetet një problem serioz, korrupsioni sa i përket administratës dhe gjyqësorit. Pika e referimit të Shqipërisë në këtë proces është e qartë, standardi i kërkuar nga BE që është një ndër pesë cështjet që ne adresojmë me BE në një grup të përbashkët pune, me asistencën e specializuar dhe ka edhe një plan veprimi konkret dhe vullnet të qartë të qeverisë për të ndihmuar prokurorinë dhe gjithë organet e tjera hetimore për të cuar para dretjësisë të gjitha ato raste kur konstatohet shkelje e ligjit.

Ilir Paço: Një tjetër shqetësim që nënvizohet në dokument është domosdoshmëria për dialog me opozitën në parlament dhe gjithëpërfshirje në reformat e integrimit. Cfarë do të bëjë mazhoranca për t’i krijuar këto hapësira dhe këtë mjedis të përshtatëshëm për opozitën në parlament?

Ministri Bushati: Qendrimi i mazhorancës është i qartë; do të bëjmë cdo gjë për të krijuar hapësirat e duhura për opozitën për të diskutuar reformat e rëndësishme në parlament edhe në ato raste kur mund të mos biem domosdoshmërisht dakort. Në këtë progres-raport shquhet qartë avantazhi krahasues që Shqipëria ka me vendet e rajonit, vlera e shtuar në rajon sa i përket shtrimit të influencës pozitive përmes politikës së jashtme në rajon, fakti që është vend i vetëm anëtar i NATO-s nga vendet aspirante, fakti që Shqipëria është i vetmi vend që ka njehsuar 100 përqind politikën e jashtme me BE dhe SHBA në këtë kohë krizash ndërkombëtare që përjeton Europa dhe rreziku për sigurinë që vjen nga lindja dhe jugu i Europës, ndaj është e rëndësishme që si ne, si mazhorancë ashtu edhe opozita të marrim pronësinë në këtë proces duke respektuar votën e popullit.

Ilir Paço:
Raporti thekson domosdoshmërinë e reformës në drejtësi. Kërkesa e Brukselit është për gjithëpërfshirje, ndërsa sot Kryeministri foli për një reformë që do të kalojë përmes një Komisioni Parlamentar. Në kushtet kur opozita vazhdon bojkotin si mendoni se do të realizohet kjo gjithëpërfshirje?

Ministri Bushati:
Kryeministri ishte mjaft i qartë që kjo është një cështje që do të formalizohet dhe do të finalizohet në parlament, por është një cështje ku do të mikpritet kontributi i gjithë aktorëve, në radhë të parë politikë dhe institucionalë, njerëzve të botës së mendimit, ekspertizës së Komisionit të Venecias, Komisionit Europian, OPDAT-it, Këshillit Europian, të vendeve kyçe të Bashkimit Europian. Pikat e referimit këtu janë shumë të qarta, nuk janë teka të politikës shqiptare, as pengmarrje e mundshme në këtë proces, por standardet që burojnë nga BE. Është një proces që KE e ka kryer me sukses në Serbi dhe Mal të Zi. Ekzistojnë të gjitha mundësitë për të mos e kthyer këtë cështje në cështje emrash dhe tekash, por për të ndërtuar një sistem profesionist, llogaridhënës, sa më larg korrupsionit.

Ilir Paço: Përse nuk kemi një datë të saktë për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit?

Ministri Bushati: Objektivi ynë është shumë i qartë, përqasja jonë është graduale, sic është përqasja e procesit të zgjerimit. Kandidatja për Përfaqësuese të Lartë të BE-së në seancën dëgjimore deklaroi se Shqipëria ka dhe përbën një mundësi unike për mënyrën se si i ka zbatuar detyrimet që burojnë nga procesi i anëtarësimit. Bëmë një punë të lavdërueshme të gjithë së bashku për marrjen e statusit, tashmë jemi në fazat fillestare të punës për të ndërtuar të gjithë strategjinë, hapat e veprimit dhe reformat që do të na cojnë tek marrja e datës. Po punojmë së bashku me Komisionin Europian, po punojmë me vendet kyçe. Do të prezantojmë këtë strategji tek strukturat e reja të BE-së dhe do të jemi të gjithë së bashku në këtë proces. Për të arritur tek ky element është thelbësor bashkëpunimi politik, që secili të tregojë që po jetojmë në një demokraci e përgjegjëshme e një vendi kandidat, ne si qeveri e votuar për të bërë disa reforma dhe opozita për të ushtruar kontrollin parlamentar, për kritika, por edhe për të dhënë konsensusin për reformat e integrimit. Procesi i zgjerimit është një proces politik, që ka konsiderata gjeo-strategjike, por ka edhe cështje që kanë të bëjën thelbësisht me reformat.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA