Rënia e rritjes ekonomike, debate opozitë – Qeveri

07/10/2014 00:00

Rënia ekonomike në tremujorin e dytë ka ndezur një debat të nxehtë
politik, jo vetëm mbi shkaqet, por edhe për gjendjen ku ndodhet
ekonomia. Opozita akuzon Qeverinë se po zhyt vendin në krizë.

“Të dhënat tronditëse për ecurinë e ekonomisë së vendit, përgjatë këtij viti, në të vërtetë nuk kanë qenë as të papritura dhe as të panjohura për qytetarët shqiptarë. Sado që Rama kërkon t’i fshehë sirtarëve të zyrave apo xhepave të qeveritarëve statistikat, qytetarët i dinë, sepse ata shohin se si çdo ditë humbin vendet e punës, se si çdo u rriten çmimet, u pakësohen të ardhurat, u rriten taksat, u shtohet pasiguria për të nesërmem”, tha ish-ministri i Financave, Ridvan Bode.

Por, ministri i Ekonomisë Arben Ahmetaj deklaroi se treguesi negativ i rritjes për tremujorin e dytë, është i lidhur drejtpërdrejt me keqpërdorimin e buxhetit një vit më parë pikërisht nga zoti Bode. Për këtë, ai referoi shifrat e investimeve publike, ku në gjysmën e parë të 2013 ish-Qeveria shpenzoi 80 për qind të fondit vjetor.

“Ajo që ka ndodhur në tremujorin e dytë të vitit 2013, është pikërisht gropa elektorale e krijuar nga Qeveria që e la vendin në atë situatë të rëndë ekonomike. 80 për qind e investimeve publike u avancuan për një tremujor. Ky është tremujori, kur u krijuan gati 200 milionë dollarë borxhe ndaj biznesit, 200 milionë dollarë të padhëna”, tha Ahmetaj.

Kreu i Ekonomisë thotë se po të zhvishen nga ky efekt deformues të dhënat që publikoi INSTAT dëshmojnë se ringritja e ekonomisë po konsolidohet dhe se rritja ekonomike për gjithë vitin do të jetë mbi 2 për qind.

“Tremujori i fundit 2013, tremujori i parë i 2014 dhe tremujori i dytë, i po këtij viti, në vetvete, të krahasuar me njëri-tjetrin janë të tre në rritje 0.18, 0.23, 0.38. Pra është një shifër, është një statistikë, e cila tregon trendin serioz të rritjes ekonomike dhe konsolidimin”, tha Ahmetaj.

Por Bode ka të tjera vlerësime.

“Prej rreth një viti bankat kanë bllokuar, bile ulur, kreditimin e ekonomisë.Investimet në ekonomi janë mëse përgjysmuar, investitorët e huaj po largohen nga vendi. Në tre tremujorë të qeverisjes Rama, dy janë me rënie ekonomike. Prisni, se s’keni parë asgjë akoma”, tha Bode.

Një ditë më parë Instituti i Statistikave deklaroi se për tremujorin e dytë ekonomia u tkurr me 0.6 për qind krahasuar me të njëtën periudhë të vitit të kaluar. 

Top Channel