
Rreth 10 % e shqiptarëve të emigruar pas viteve ’90 janë rikthyer nga viti 2009 në 2013-n, në vendbanimet e tyre në Shqipëri.
Studimi i Institutit të Statistikave dhe Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin tregon se kriza e thellë në ekonominë greke dhe stanjacioni i gjatë në atë italiane, ka detyruar emigrantët shqiptarë që kanë humbur punën në këto vende të kthehen në shtëpitë e tyre.
‘Rreth 134 mijë emigrantë janë kthyer në Shqipëri përgjatë periudhës 2009-2013. Ritmi i kthimeve është përshpejtuar pas vitit 2011 me rreth 1.5 herë. Mosha mesatare e emigrantëve të kthyer është 38.6 vjec’, thotë Gjergj Filipi, drejtor i INSTAT.
Sipas studimit, emigrantët e kthyer vijnë rreth 71 % nga Greqia dhe rreth 24 % nga Italia. Mbi 60 % e tyre thonë se gjatë vitit të fundit të qëndrimit jashtë vendit, dërgesat në para për familjet në Shqipëri kanë qenë të pakta. Shuma më e shpeshtë e këtyre dërgesave ka qenë 200 deri në 500 euro.
Një tjetër gjetje e studimit është se mbi 60 % e të kthyerve janë vendosur në të njëjtin vendbanim që kanë patur përpara se të emigronin, ndërsa pjesa tjetër në qendrat kryesore urbane si Tirana, Durrësi apo Vlora. Një pjesë e madhe e tyre i janë drejtuar bujqësisë, si formë e vetëpunësimit, por edhe hapjes së bizneseve të vogla.
`Nevojitet përmirësimi i shërbimit për të kthyerit, në mbështetje të hapjes së bizneseve të reja, që ata të mund të investojnë njohuritë e tyre, aftësinë dhe kapitalin financiar të fituar jashtë vendit, veçanërisht në sektorin e bujqësisë’, thotë Zineb Touimi Benjelloun, përfaqësuese e PNUD në Shqipëri.
Sipas studimit, rreth 40 % e të kthyerve mendojnë se do të qëndrojnë në Shqipëri përgjithmonë ndërsa rreth 1/3 e shohin kthimin si të përkohshëm dhe synojnë të emigrojnë sërish.
Top Channel