Filipi: Ekonomia shqiptare po stabilizohet

07/10/2014 00:00

Drejtori i INSTAT, Gjergj Filipi ishte i ftuar në Revistën “Televizive të Mbrëmjes”, ku komentoi shifrat e bëra publike gjatë ditës së hënë nga institucioni që ai drejton.

Zoti Filipi shpjegoi me detaje shkaqet të cilat kanë ndikuar në situatën aktuale të ekonomisë në vend. Ai sqaroi se pavarësisht shifrave, “tremujori i dytë i këtij viti mund të cilësohet pozitiv, pasi është bërë krahasimi me tremujorin e vitit të kaluar, i cili është tremujori me ritmikën më të lartë të vlerës së shtuar në historinë e Shqipërisë nga tremujori i parë i 2009-ës”.

Pandi Gjata: U fol për një rënie të ekonomisë në 0.61 për qind në tremujorin e dytë të këtij viti. A mund të na i shpjegoni arsyet e kësaj rënie?

Gjergj Filipi: Ky është treguesi i parë që kemi për ritmikën e ekonomisë është momenti kur ende gjërat nuk janë kthjelluar. Në këtë rast krahasohemi me tremujorin e vitit pararendës për të kuptuar ecurinë e përgjithshme të tregut dhe të ekonomisë. Shifra 0.61 për qind është diferencë negative ndaj tremujorit të njëjtë të një viti të kaluar, ndërkohë është me diferencë pozitive me 0.38 për qind ndaj tremujorit të parë të vitit 2014.  

Pandi Gjata: Kur keni dhënë arsyet jeni fokusuar edhe në disa shkaqe që kanë sjellë këtë situatë.

Gjergj Filipi: Shifra negativi 0.61 për qind shpërbëhet në komponentë të ndryshëm sektorial, janë 7 degë të ekonomisë. Sektori i cili ka ndikimin më të keq në këtë shifër është ndërtimi me -2.79%, më pas është transporti me 0.73%, pjesën më të madhe të kësaj rënie ia dedikojmë transportit ajror. Më pas vjen industria, e cila pjesën më të madhe të rënies e ka prodhimi i energjisë. Pastaj kalojmë te sektorët që kanë pasur kontribut pozitiv, këtu vlen për tu përmendur dega e tregtisë, e cila lidhet me industrinë që ka shënuar një performancë pozitive 0.94%, më pas vjen bujqësia, gjuetia, peshkimi dhe pyjet. Dhe grupimi i shërbimeve të tjera të tregut, këtu përmbledhim të gjithë aktivitetin e organizatave ndërkombëtare dhe lokale, të gjithë aktivitetin që i ofrohet shoqërisë, të cilat janë me një rritje 1.23%.

Pandi Gjata: Në parashtrimin që ju bëtë përmendët transportin dhe specifikuat transportin ajror si një ndër sektorët që ka ndikuar në këtë rënie të ekonomisë. Cilat kanë qenë arsyet?

Gjergj Filipi: Në transportin ajror ka pasur një zhvillim jo shumë pozitiv në fund të vitit të kaluar, ku një prej aktorëve të rëndësishëm doli nga tregu. Në një vit të plot mungesa e një operatori praktikisht do të sjelli rënie sepse një operator ka ikur nga tregu. Edhe në tremujorin që vjen parashikohet të ketë sërish rënie në këtë sektor për të njëjtën arsye.

Pandi Gjata: Çfarë peshe zë sektori i transportit dhe ai i ndërtimit në shportën e prodhimit të përgjithshëm kombëtar?

Gjergj Filipi: Mbas tregtisë, ndërtimi është sektori më i qenësishëm në vendin që zë për nga vlera e shtuar. Ndërsa transporti ka peshë më të vogël sesa ndërtimi.

Pandi Gjata: Keni thënë që pavarësisht kësaj shifre kemi një ringritje të ekonomisë. Në fakt këto shifra flasin për rënie, si mund ta kuptojmë këtë gjë?

Gjergj Filipi: Shifrat tregojnë rënie krahasuar me tremujorin e dytë të vitit të kaluar. Nuk na intereson të merremi me presjet dhjetore, por të kuptojmë shëndetin e ekonomisë. Tabelat e prodhuara tregojnë ato shifra, ne tentojmë të shkojmë më tej. Arsyet pse ekonomia është në këtë pikë dhe a ka këtu vend për pesimizëm apo për optimizëm. Në diskutimin që kisha me gazetarët konkluzioni ishte ky: ndonëse në dukje është një shifër negative duke pasur parasysh karakteristikat specifike të tremujorit të dytë të vitit të mëparshëm, i cili është tremujori me ritmikën më të lartë të vlerës së shtuar në historinë e Shqipërisë nga tremujori i parë i 2009-ës. Tani tremujori i dytë i 2014 po krahasohet me një tremujor nga më të mirët. Po të krahasojmë tremujorin e dytë të 2014-ës me të parin e këtij viti ka performuar më mirë. Ekonomia jonë në tremujorin e dytë të vitit ka vlerë të shtuar më të madhe sesa tremujori i parë i vitit. Ndonëse me ritme modeste ekonomia jonë po shfaq shenja stabilizimi. Kjo ka një të mirë sepse mund të bëhen parashikime.

Pandi Gjata:  Ekonomia ka edhe efektin sezonal të saj. Në cilën pjesë mund të ketë ndryshime?

Gjergj Filipi: Në INSTAT kemi një metodologji statistikore e cila e zhvesh ritmikën e sezonalitetit të ekonomisë, kur ne bëjmë llogaritë e tremujorëve me njëri-tjetrin, për shembull i dyti me të parin krahasohen sikur të ishin i njëjti tremujor. Dhe ritmika me rritje e tremujorit të dytë nuk është ndaj të parit neto, por ndaj tremujorit të parë të zhveshur nga sezonaliteti. Ky është treguesi që kemi të bëjmë me një ecuri modeste, por të shëndetshme dhe jo alarmante duke parë shifrën.

Pandi Gjata:  A keni patur pakënaqësi nga qeveria me këto të dhëna që keni publikuar?

Gjergj Filipi: Pakënaqësira nuk ka pasur dhe besoj që nuk do të ketë përderisa secili në qeveri bën punën e tij, ndërsa kjo është punë e INSTAT-it. Me reagime apo jo nga politikanët institucionet duhet të ndjekin punën e tyre.

Top Channel