Opozita e re, reforma në drejtësi, bojkoti…

06/10/2014 00:00

Tryeza për reformën në drejtësi e thërritur nga Presidenti i Republikës
ishte e vetmja sallë që bëri bashkë këto javë opozitën dhe mazhorancën,
të përfshira në një gjuhë të ashpër akuzash e kundërakuzash, sidomos pas
incidentit të ndodhur në korridoret e godinës së Kuvendit.

Reforma në drejtësi është një ndër kriteret e vendosura nga Bashkimi Europian për çeljen e bisedimeve të anëtarësimit. Por ndërsa vlerësohet si e rëndësishme, palët i ndan mënyra se si duhet të kryhet kjo reformë.

Cili është qendrimi i opozitës për reformën në drejtësi dhe për reformat e tjera të rëndësishme? A do t’i japë fund bojkotit Partia Demokratike dhe t’i bashkohet Kuvendit dhe komisioneve parlamentare për këto reforma? Cili do të jetë organizimi i ri i PD?

Këtyre dhe shumë pyetjeve të tjera iu dhanë përgjigje dy anëtarët e Këshillit Kombëtar të PD-së, Grida Duma dhe Bledi Kasmi përballë analistëve Aleksandër Çipa dhe Eduard Zaloshnja të ftuar të gazetares Rudina Xhunga në takimin e kësaj të hëne në emisionin “Shqip”.

E para që mori fjalën ishte Grida Duma. Ajo foli për tryezën e thërritur nga Presidenti i Republikës, tryezë që tha se ishte organizuar pas presioneve të ndërkombëtarëve, si dhe shtoi se ndryshimi duhet të bëhet tek sistemi, jo tek personat.

“Ambasadorët më të rëndësishëm kanë deklaruar se reforma në drejtësi nuk mund të bëhet pa opozitën. Megjithatë ka tendenca për kapjen e drejtësisë. Në këtë sektor duhet të bëhet ndryshimi i sistemit dhe jo i personave. Gjatë takimit unë vura re më tepër një fjalor të batutës se sa një fjalor serioz nga Kryeministri për gjërat që kanë penguar funksionimin e ligjit të ndëshkueshmërisë”, tha ajo.

Sipas anëtarit tjetër të Këshillit Kombëtar të PD, Bledi Kasmi, edhe në këtë tryezë u pa ajo që ai e quajti gjuhë radikale e Kryeministri ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve të veçantë.

“Gjuha e Kryeministrit ishte akoma më radikale si gjuhë që përdori ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve. Ka gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar, por kjo nuk do të thotë që sistemi është i kapur dhe këtë e thanë edhe të huajt. Nëse ecim me gjuhën e Kryeministrit të gjithë këta gjyqtarë dhe prokurorë të shkojnë në gijotinë. Dyshoj që do të ketë një bazë për një reformë konsensuale në drejtësi. Do të dëshiroja që garantë të këtyre reforma të ishin ndërkombëtasrët sepse kapja e drejtësisë do të thotë instalim i një diktature”, tha Kasmi.

Eduard Zaloshnja u ndal tek fakti se drejtësia ka humbur besimin e qytetarëve. “ Në një sondazh të fundit 90 përqind e të anketuarve kishin bindjen që sistemi i drejtësisë është i korruptuar. 41 përqind ishin të bindur se do të ndodhte së shpejti reforma. Kjo tregon që publiku ka nevojë për një reformë konsensuale sepse një reformë e njëanëshme apo çdo përpjekje për të bërë arnime të pjesshme të sistemit nuk rrit besimin e publikut. Publiku nuk e beson sistemin e drejtësisë”, tha ai.

Analisti politik, Aleksandër Çipa tha se pavarësisht emrat e përfolur kompromentuan tryezën. “Aktorët u gjenden në një tavolinë të presidentit dhe u krijua ideja sikur funksionojnë normalisht të gjitha hallkat e shtetit. Por po t’i referohesh kultit të ditës në këtë tryezë është absurde; i pari që foli ishte Gjin Gjoni, që është një personazh i sulmuar, politikish apo jo, kjo ska rëndësi, por kjo kompromenton tryezën. Sistemi ka nevojë për një reformë thelbësore”, deklaroi Çipa.

Grida Duma dhe Bledi Kasmi në vijën e kritikave të opozitës thanë se qeveria dhe mazhoranca kanë ndërmarrë një fushatë sulmi ndaj institucioneve të pavarura dhe këtu sollën si shembull, sipas tyre, sulmin e qeverisë dhe hetimin ndaj Elvis Çefës, Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. “Sulmet ndaj Çefës tërësisht politike”, tha Duma.

Për Zaloshnjën vendi ka nevojë për një marrëveshje të thellë politike, jo vetëm për drejtësinë, por për të gjitha institucionet shtetërore. “Ka nevojë për një marrëveshje të thellë, që nga Presidenti, Prokurorët dhe Gjykatësit. Një reformë për varësitë, kush i emëron, kush shkarkon etj etj. A ekziston vullneti politik nga palët për këtë?”, pyeti ai.

Bojkoti

Pjesa e dytë iu kushtua bojkotit të opozitës dhe sa dëmton ku bojkot ecurinë e reformave integruese të vendit.

Lidhur me reformën në drejtësi, Grida Duma tha se reforma në drejtësi është pjesë e kritereve të integrimit dhe se qendrimi i opozitës, sipas saj, është mbështetës ndaj cdo reforme integruese, por vlerësoi se nisma e mazhorancës është tendencioze me qëllim kapjen e sistemit.
 
Ndërsa anëtari tjetër i Partisë Demokratike, Bledi Kasmi tha se opozita është detyruar të braktisë sallën e parlamentit dhe zgjedhja për bojkot është kushtëzuar nga ngjarjet atje.

“Është nxjerë jashtë me dhunë nga parlamenti. Nëse tolerojmë grushtat në parlamenti, nesër do të hyjnë plumbat. Ne e dimë se cfarë kontigjenti kemi në atë parlament, e dimë që ka kriminelë në atë parlament të hetuar dhe kërkuar në Bruksel. Sot nuk kemi nga kryeministri një shmangje, por Kryeministri i mbron ata njerëz. Kjo mosshkëputje e Kryeministri me këta banditë e bëjnë të papranueshme opozitën në parlament”, tha Kasmi.

Aleksandër Çipa vlerësoi se situata aktuale është në prag të një konflikti të hapur politik. Ai shtoi se ka një ripdërdorim të antagonizmit të thellë për të mbuluar me alibi ekzistencën e problemeve dhe nevojën për reformim në cdo fushë.

“Në këndvështrimin tim cilësia e demokracisë është në rënie, në degradim. përfaqësimi, ndërgjegjja institucionale. Nëse vazhdohet me këtë gjë, pretendimi i opozitës që në parlament ka elementë kriminalë në plan të parë është i drejtë, në plan të dytë është i vonuar sepse duhej të ishte ndërmarrë me kohë, që kur në elementë të tillë janë futur në kuvend”, tha ai.

Grida Duma tha se bojkoti ishte fundi i një serie ngjarjesh në atë parlament. “Në momentin kur opozita në parlament ishte aq e rëndësishme sa c’është në një studio televizive, vetëm për të folur erdhi bojkoti.  Jemi në pozitën kur vendimet e gjykatave nuk respektohen, nuk ekziston ajo që quhet siguria që i jep ligji qytetarit. Që do të thotë e ke me leje, apo jo, kjo s’ka rëndësi, rëndësi ka vullneti i qeverisë. Parlamenti është vendi ku deputetët vendosin për fatet e vendit. Nuk u dëgjuam për reformën territoriale, s’na u dha e drejta e vetos dhe sot është bërë një kasaphanë gjeografike vetëm për arsye elektorale”, tha ajo.

Por sot dy deputetët e mazhorancës janë në ndjekje penale, ndërkohë që në një dalje publike Kryeministri Rama ka ftuar opozitën që të rikthehet në parlament dhe mazhoranca do të votojë të ngritjen e komisioneve hetimore të kërkuara prej saj.

Këto janë dy prej arsyeve që PD braktisi sallën, por nëse njëra ndodhet në rrugët e drejtësisë dhe tjetra ka një premtim publik të Kryeministri, a mund të themi që janë pjekur kushtet për t’u rikthyer opozita në sallë? Për Eduard Zaloshnjen me plotësimin e këtyre dy kritereve deputetët e opozitës duhet të rikthehen, ndërsa vlerësoi se bojkoti ishte i vonuar. Sipas tij, opozita duhej të bojkotonte sallën që në momentin kur iu refuzuan kërkesat për ngritjen e komisioneve hetimore.

Strukturat e reja drejtuese të PD

Kuvendi i gjërë para disa ditësh zgjodhi këshillin e ri kombëtar. Mbledhja e këtij të fundit do të zgjedhë strukturat e reja drejtuese. Cili do të jetë organizimi i tyre? Sa përfaqësues janë të zgjedhurit e rinj të PD?

“Do të zgjidhet kryesia e re ku kryetarët dhe nënkryetarët do të jenë pjesë, po ashtu edhe ish-kryetarët do të jenë pjesë e kryesisë. Sekretariatet dhe shefat e departamenteve po ashtu dhe risia është sedo të jenë edhe kryebashkiakët pjesë e kryesisë. Pra do të kemi kemi një kryesi të zgjeruar dhe përfaqësuese”, deklaroi Grida Duma.

Aleksandër Çipa tha se ka ndryshime pozitive, por tha se sërish figura më ndikuese në parti mbetet ish-kryetari, Sali Berisha. “Da disa ndryshime në Kryesinë e PD, por prap Berisha mbetet një ndër figurat më ndikuese, për të mos thënë edhe vendos. Edhe nga emrat e listës së Këshillit kupton që Berisha është shumë prezent brenda PD dhe do të jetë prezent edhe në kryesinë e ardhshme të PD. Si mund të alternohet kjo përvojë e gjatë politike me lidershipin e ri? Kjo e dëmton opozitën dhe unë mendoj edhe në raport me elektoratin e vet. Risia është në komunikim etik të Bashës. Nuk ka asnjë fyerje të tij ndaj rivalit politik, është një opozitë e polemikës.

Për Eduard Zaloshnjen ky ishte kuvendi më demokratik i organizuar ndonjëherë nga Partia Demokratike dhe vlerësoi se i gjithë procesi i rimëkëmbjes së opozitës, që nga zgjedhja e kryetarit pas humbjes së 23 qershorit e deri tek kuvendi i mbajtur disa ditë më parë, ishte transparent.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA