
Prindërit e pengut amerikan, i cili po mbahet ende nga militantët e Shtetit Islamik në Siri, kanë publikuar një letër, të cilën ai e ka shkruar gjatë kohës së të qenit rob.
Abdul-Rahman Kassig, i njohur si Peter Kassig përpara se të konvertohej në musliman, shkroi një letër në Qershor ku shkruante se “ishte i frikësuar për vdekje” dhe i pikëlluar për dhimbjen që përvoja e tij e hidhur po i shkaktonte familjes së tij.
Javën e kaluar, Shteti Islamik publikoi një video duke ekzekutuar me prerje koke pengun britanik Alan Henning, në fund të së cilës shfaqej 26-vjeçari Kassig, për të cilin ekstremistët thonë se është radha e tij.
Kjo ishte videoja e katërt e këtij lloji të publikuar nga grupi i militantëve, që kontrollojnë pjesë të tëra në Siri dhe Irak. Viktimat e tjerë janë reporteri amerikan James Foley, gazetari amerikano-izraelit Steven Sotloff dhe humanitari britanik David Haines.
Shteti Islamik ka bërë të ditur se ata janë vrarë në shenjë hakmarrjeje për sulmet ajrore të udhëhequra prej Shteteve të Bashkuara ndaj objektivave të grupit islamik.
Ed dhe Paula Kassig thanë se kishin vendosur të publikonin pjesë të letrës së djalit të tyre, “pasi kështu bota mund të kuptojë se përse ne dhe shumë njerëz në botë kujdesen për të dhe e admirojnë atë”.
“Duam t’i shprehim falënderimet e përzemërta shumë njerëzve në botë, të cilët kanë ofruar lutjet e tyre dhe mbështetjen ndaj familjes sonë në këtë moment të vështirë, veçanërisht ndaj atyre që e njohin djalin tonë, apo me të cilin kanë punuar me të në Liban, Turqi apo Siri. Jemi të tronditur nga përgjigja e atyre, të cilët e konsiderojnë Abdul-Rahmanin një hero të punës, që ai bënte përpara se të merrej peng”.
Në letër, Abdul-Rahman Kassig shkruante:
“Sigurisht, jam tepër i frikësuar për vdekjen time, por pjesa më e vështirë është të mos dish, të lutesh, të shpresosh, të habitesh, nëse do më jepet mundësia të shpresoj të paktën të jetoj. Jam tepër i zhgënjyer që ka ndodhur e gjitha kjo dhe mendimet e mia janë te të gjithë ata që më presin në shtëpi. Nëse unë vdes, kam zbuluar se të paktën unë dhe ti, mund të gjejmë prehje dhe ngushëllim në faktin që e dimë se unë jam larguar nga kjo jetë, duke u përpjekur për të pakësuar vuajtjet dhe për të ndihmuar njerëzit në nevojë. Sa i përket besimit tim, lutem çdo ditë dhe nuk jam i mërzitur në lidhje me situatën time, në lidhje me këtë gjë”.
Letra, të cilën prindërit e morën më 2 Qershor, përfundon me fjalët “Ju dua!”.
Prindërit e Kassig thanë se ai punonte për organizatën e themeluar prej tij “Ndihma speciale për përgjigje emergjente” (SERA), kur ai u kap peng gjatë rrugëtimit drejt Deir Ezzor në Lindje të Sirisë, një vit më parë.
Top Channel