
Turqia ndoshta ka çelësat për t’i dhënë fund luftës kundër ISIS, por që prej krijimit të kalifatit nga ana e këtyre të fundit, Ankaraja ka luajtur një rol pasiv, të paktën deri javën e kaluar.
Javën që shkoi si kryeministri Davutoglu ashtu edhe presidenti Erdogan u zotuan në publik se nuk do të lejojnë rënien e qytetit kufitar sirian Kobane në duart e terroristëve.
Por përveç deklaratave asgjë tjetër nuk ka ndryshuar. Ushtria turke ka përforcuar kufirin në këtë pjesë duke zhvendosur dhjetra tanke, ndërkohë që pak metra më tutje kurdët sirianë po humbasin terren përballë ofensivës së ISIS.
E si të mos mjaftonte mosndërhyrja, autoritetet turke po pengojnë edhe kurdët e zhvendosur që duan të rikthehen në Siri për të mbrojtur qytetin e tyre. Ditën e hënë ata janë përleshur me policinë turke e cila ka përdorur gaz lotsjellës për t’i shpërndarë.
Korrespondenti i BBC në këtë zonë, Paul Adams thotë se Turqia ka nisur krijimin e një zone ndalim-qarkullimi në kufi, pranë Kobanit. Madje vetë ai dhe gjithë ekipi televiziv i BBC është bërë viktimë e dhunës së policisë turke.
Së fundmi ndaj Ankarasë kanë nisur të qarkullojnë kritika të reja që e akuzojnë për shkëmbim pengjesh me terroristët, një politikë që deri më tani aleatët e tjerë të koalicionit ndërkombëtar të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara e kanë refuzuar.
Nga ana tjetër në rrethinat e Kobanes valviten flamujt e ISIS-it. Një zyrtar lokal tha për BBC se nëse nuk ndërhyhet nga jashtë, shumë shpejt ekstremistët do të marrin në kontroll të gjithë qytetin.
Më herët Pentagoni njoftoi se dy sulme ajrore shkatërruan pozicionet e ISIS në jug të qytetit, por analistët thonë se sulmet ajrore me frekuencë kaq të rrallë janë të pamjaftueshme për të dëmtuar terroristët, ndërsa kurdët vazhdojnë e humbasin terren.
Top Channel