Franca mohon dezertimin e një agjenti sekret

06/10/2014 00:00

Një burim nga Ministria franceze e Mbrojtjes mohoi gjatë së hënës një raport të mediave amerikane, se një oficer i inteligjencës franceze ka dezertuar dhe i është bashkuar degës së al-Qaedas në Siri, e që më pas është vënë në qendër të sulmeve ajrore amerikane për t’u eliminuar.

McClatchy DC, një faqe interneti e bazuar në Uashington DC, raportoi një ditë më parë – duke cituar disa burime të inteligjencave europiane – se ish-oficeri francez ishte dezertori i rangjeve më të larta deri më tani që i është bashkuar al-Qaedas dhe se koalicioni i udhëhequr prej Amerikës ka dështuar ta vrasë atë pas disa sulmes ajrore.

“Pas kontrolleve këtë mëngjes, mund të sigurojmë se informacioni shqetësues mbi lidhjet e supozuara mes xhihadistëve, të cituar nga shtypi, dhe shërbimeve inteligjente franceze është totalisht i pasaktë”, tha burimi i Mbrojtjes, në Francë.

McClatchy citoi burime që thoshin se oficeri, i përshkruar si një ish-anëtar i inteligjencës ushtarake, forcave speciale apo shërbimeve të jashtme të inteligjencës, i ka mbijetuar sulmeve në 8 vendndodhje të ndryshme, të cilat kontrollohen nga grupi “Fronti al-Nusra”, me lidhje me al-Qaedan, e që operon në Siri.

Koalicioni ka preferuar të përdorë sulmet me raketa, se sa ta kapë personin, në mënyrë që të shmangë identifikimin e personit, janë cituar këto burime të kenë thënë për McClatchy.

Top Channel