Ebola mbërrin në Europë

06/10/2014 00:00

Ministri spanjoll i Shëndetësisë ka konfirmuar rastin e një infermiereje, e cila trajtonte një viktimë të virusit Ebola në Madrid, që ka rezultuar pozitive për marrjen e këtij virusi vdekjeprurës.

Infermierja spanjolle është personi i parë i këtij shpërthimi të jashtëzakonshëm virusal, e cila ka marrë Ebolan jashtë rajonit të Afrikës. Ajo ishte anëtare e ekipit që trajtoi priftin spanjoll, Manuel Garcia Viejo, i cili ndërroi jetë prej këtij virusi më 25 Shtator.

Rreth 3400 persona kanë vdekur si pasojë e këtij virusi, shumica e të cilëve në Afrikën Perëndimore. Prifti ndërroi jetë në spitalin “Carlos III” i Madridit, pasi kishte marrë Ebolan në Sierra Leone.

Një tjetër prift spanjoll, Miguel Pajares, ndërroi jetë në Gusht, pasi ishte infektuar me këtë virus në Liberi.

Infermierja është shtruar në spital mëngjesin e së hënës, me temperaturë të lartë, bën të ditur gazeta spanjolle “El Pais”. Doktorët e izoluan atë në një dhomë trajtimi emergjencash, sipas raportit të saj.

Ebola përhapet përmes kontaktit me lëngjet trupore të dikujt, i cili e ka këtë virus, dhe e vetmja rrugë për ta ndalur përhapjen është izolimi i personave të infektuar.

Janë rreth 7500 raste të konfirmuara me këtë infeksion në mbarë botën, teksa zyrtarët thonë se shifrat mund të jenë shumë herë më të mëdha në realitet. Guinea, Sierra Leone dhe Liberia janë shtetet që janë goditur më keq nga ky virus.

Top Channel