
Ligjvënësit britanik do të zhvillojnë gjatë javës së ardhshme një votim simbolik parlamentar, për të kuptuar nëse qeveria britanike duhet të njohë Palestinën si shtet më vete apo jo, një lëvizje që vështirë se do të ndryshojë politikën zyrtare të Mbretërisë së Bashkuar, por që shihet si e dizenjuar për të rritur profilin politik të kësaj çështjeje.
Britania nuk e klasifikon ende Palestinën si një shtet, por thotë se mund ta bëjë diçka të tillë kurdo, nëse ky veprim me të vërtet do të sjellë ndihmesë në procesin e paqes mes palestinezëve dhe Izraelit.
Mocioni është dorëzuar për debat në Dhomën e Ulët të Parlamentit të Britanisë, më 13 Tetor, dhe do t’u kërkojë ligjvënësve të përgjigjen nëse ata besojnë se qeveria duhet ta njohë shtetin e Palestinës.
Ky mocion vështirë se do të fitojë miratimin në Parlamentin britanik, për shkak se është në përplasje të theksuar me politikën zyrtare të vendit, por edhe nëse kalon, ai nuk është detyrues dhe nuk do ta bëjë qeverinë të ndryshojë qëndrimin e saj diplomatik.
“Ai është kundër pozicionit të qeverisë, por nuk është një sulm ndaj qeveritarëve, por thjesht e shohim si momentin e duhur për ta bërë më të kumbueshme si çështje”, tha ligjvënësi Grahame Morris, nga partia opozitare laburiste, e cila po sponsorizon këtë debat.
“Shtetësia, jo vetëm që është një e drejtë e patjetërsueshme e popullit palestinez, por duke njohur Palestinën do t’i jepnim frymëmarrje një jete të re në procesin e paqes, që aktualisht ka ngecur”.
Debati vjen pak ditë pasi qeveria e re e Suedisë ka vendosur të njohë zyrtarisht Palestinën, një lëvizje që është kritikuar ashpër nga Izraeli.
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi de facto njohjen e shtetit sovran të Palestinës në vitin 2012, por Bashkimi Europian dhe shumica e vendeve të Euopës, përfshi edhe Britaninë, ende nuk e kanë dhënë njohjen zyrtare.
“Vazhdojmë të besojmë se negociatat drejt një zgjidhjeje dyshtetërore janë gjëja e duhur për të përmbushur aspiratat palestineze në realitet dhe në terren”, tha një zëdhënës i “Foreign Office”. Palestinezët kërkojnë një shtet të pavarur në Bregun Perëndimor dhe Gaza, me kryeqytet në Jeruzalemin Lindor.
Top Channel