Armëpushimi “anashkalon” aeroportin e Donjeckut

06/10/2014 00:00

Ndërkohë që luftimet në pjesën më të madhe të Lindjes së Ukrainës thuajse janë shuar nga armëpushimi njëmujor tashmë, ato po shkretojnë papushim zonën pranë aeroportit në Donjeck, duke e kthyer simbolin shkëlqyes të integrimit perëndimor të vendit në një pasqyrë të shpartalluar të perspektivës për të ardhmen e tij.

Terminali i ri, që tifozët europianë të futbollit përdorën gjatë vitit 2012 për të shkuar në disa prej ndeshjeve të organizuara prej Ukrainës, është kthyer tashmë në një simbol gërmadhash, duke qenë objektiv strategjik si për forcat qeveritare pro-perëndimore të Kievit, ashtu dhe prej rebelëve të cilët duan ta shtyjnë ish-republikën sovjetike sërish në orbitën e Moskës.

Aeroporti ndodhet rreth 10 km nga qendra e qytetit. Për ushtrinë ukrainase, që e morën atë nga kontrolli i rebelëve në beteja të ashpra gjatë fundit të muajit Maj, ai është pozicioni më i afërt me Donjeckun, një rajon tepër i zhvilluar industrial dhe bastion i separatistëve, ku rebelët kanë deklaruar “Republikën Popullore” gjatë Prillit.

Separatistët kanë frikë se trupat e Kievit mund ta përdorin atë si një pikë hyrëse drejt Donjeckut. “Aeroporti është praktikisht brenda kufijve të qytetit”, tha Eduard Basulin, një zv/ministër Mbrojtjeje në “Republikën Popullore të Donjeckut”, për agjencinë Reuters.

“Objektivi ynë kryesor është të shtyjmë sa më larg vijën nga ku ata mund të na bombardojnë ne, në mënyrë që të mos e godasin më qytetin. Ata ndodhen shumë pranë nesh”, tha Basulin, kamuflazhi i të cilit veç dekorimeve të tjera përshkruan edhe diktatorin sovjetik Joseph Stalin.

Një lloj tjetër simbolizmi gjeopolitik u shfaq kur Ukraina bashkëorganizoi kampionatin Europian të futbollit në vitin 2012, së bashku me vendin anëtar të Bashkimit Europian, Poloninë, një tjetër ish-vend komunist i cili tashmë është edhe anëtar i NATO-s.

Por, dy vite më vonë, ishin pikërisht aspiratat perëndimore të Kievit, ato që nxitën Moskën të pushtonin Krimenë gjatë Marsit dhe të mbështeste separatistët në Lindje të Ukrainës, kur nisën trazirat në Prill.

Top Channel