
Izraeli e përshkroi planin e qeverisë suedeze për të njohur shtetin e Palestinës si një “vendim të sëmurë”, në mungesë të negociatave për paqe në Lindjen e Mesme.
Kryeministri suedez, Stefan Lofven, njoftoi mbi vendimin e qeverisë së tij gjatë adresimit inaugurues të tij përpara Parlamentit në Stokholm, gjatë së premtes.
Ministri i Jashtëm izraelit, Avigdor Lieberman, tha të dielën se Lofven është nxituar “në bërjen e kësaj deklarate, sigurisht përpara se sa të hulumtojë mbi këtë çështje dhe të kuptojë se janë palestinezët, ata që kanë konsituuar pengesën për progresin” e paqes në Lindjen e Mesme me Izraelin.
Duke shkruar në Facebook, Lieberman tha se do të thërriste ambasadorin suedez për një “bisedim” në Ministrinë e Jashtme izraelite në Jeruzalem.
Ndërkohë, Presidenti palestinez Mahmoud Abbas, tha se njoftimi i Suedisë ishte “i madh dhe për t’u vlerësuar” dhe se shpresonte që vende të tjera ta ndjekin atë, sipas agjencisë palestineze të lajmeve, ËAFA.
Palestinezët synojnë të formojnë shtetin e tyre në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, në kufi me Jeruzalemin Lindor dhe Rripin e Gazës. Ata kanë synuar prej kohësh që bisedimet e paqes të ecin nëpërmjet nxitjes së fuqive të huaja të njohin pretendimet e tyre për sovranitet.
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi de facto njohjen e shtetit të Palestinës në vitin 2012, por Bashkimi Europian dhe shumica e vendeve të BE-së duhen ende ta njohin zyrtarisht atë. Në fjalimin e tij, kryeministri Lofven tha se konflikti mes Izraelit dhe Palestinës duhet zgjidhur përmes një zgjidhjeje dyshtetërore, të negociuar sipas ligjeve ndërkombëtare.
Top Channel