
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj nisi një cikël vizitash në biznese fason për t’u njohur me ecurinë e paketës mbështetëse që u kalua në qeveri në muajin prill.
Ai zgjodhi për të monitoruar nga afër kompaninë “Naber Confecssion”, një shoqëri shqiptaro-gjermane që operon prej 15 vitesh në vendin tonë. Kompania është e specializuar në prodhimin e veshjeve, të cilat eksportohen drejt Gjermanisë.
Drejtuesit e saj shprehen se paketa ka qenë një mbështetje për industrinë. “Kishim gati 4 vite që detyrimet na shtoheshin, pasi nuk merrnim rimbursimin. Tashmë mendoj që jemi duke shkuar drejt stabilizimit. Prej 5 muajsh, shteti na ka dhënë një ndihmesë të madhe”, kanë thënë drejtuesit e shoqërisë.
Edhe ministri Ahmetaj deklaroi se masat lehtësuese të qeverisë po japin efekte pozitive.
“Kjo kompani sapo ka shtuar 98 punëtorë, të cilët janë brenda programit të mbështetjes së industrisë nga qeveria. Kjo është një kënaqësi për mua sepse politika e qeverisë dhe paketa fason që ne bëmë në pranverë të këtij viti është duke funksionuar”, u shpreh Ahmetaj.
Deri në fund të muajit shtator, sporteli fason pranë Agjencisë shqiptare të Zhvillimit të Investimeve ka anketuat 250 biznese, në të cilat rezulton një rritje e punësimit me 4750 vende të reja pune.
Top Channel