Zona lindore e Ukrainës është pushtuar nga luftime të ashpra, këtë herë në aeroportin e Donetsk-ut.
Përleshjet e përgjakshme midis rebelëve pro-rusë dhe forcave ukrainase, i kanë marrë jetën disa personave, por autoritetet ende nuk kanë konfirmuar një numër të saktë të viktimave.
Konflikti mes palëve nisi si një përpjekje e tyre për të zotëruar pikën strategjike të aeroportit të Donetsk-ut pasi ajo është zona e vetme që lidh më shpejt në vijë ajrore Moskën me lindjen e Ukrainës.
Deri tani askush nuk ka marrë përgjegjësinë e sulmeve, ndërsa Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov në një bisedë telefonike me Sekretarin e Shtetit amerikan, John Kerry , tha se është thelbësore që armëpushimi i datës 5 shtator të respektohet në mënyre strikte si nga ana e Moskës dhe Kievit.
Lavrov theksoi gjithashtu nevojën për të tërhequr armët e rënda nga zona e Donetsk-ut si edhe i kërkoi Kerry-t që të rritet roli mbikëqyrës i Organizatës së Kombëve të Bashkuara në monitorimin e situatës përgjatë vijës së frontit.
Më shumë se 3,500 njerëz kanë humbur jetën prej muajit prill në konfliktin e Ukrainës Lindore dhe sipas analistëve ka shumë gjasa që luftimet mes Moskës dhe Kievit të vazhdojnë të përshkallëzohen.
Top Channel