Turqia nuk do të lejojë që qyteti i Kobanit, ku dominojnë kurdët dhe që është pranë kufirit turko-sirian, të bjerë nën kontrollin e kryengritësve të Shtetit Islamik dhe do të bëjë gjithçka mundet për ta parandaluar këtë gjë të ndodhë.
Kështu është shprehur kryeministri i Turqisë, Ahmet Davutoglu, mbrëmjen e së enjtes, menjëherë pasi Parlamenti miratoi nisjen e sulmeve ndaj Shtetit Islamik, si në Irak edhe në Siri, si dhe lejimin e forcave të koalicionit të përdorin territorin turk për operacionet e tyre anti-ISIS.
“Nuk duam që Kobani të bjerë në duart e tyre. Do të bëjmë gjithçka të mundshme për ta parandaluar këtë gjë të ndodhë”, tha Davutoglu në një bashkëbisedim me gazetarët të transmetuar në televizionin shtetëror “A Haber”. “Asnjë vend nuk ka kapacitete për të ndikuar në zhvillimet në Siri dhe në Irak. Gjithashtu, asnjë vend nuk do të preket sa ne nga ato”, tha ai.
Luftëtarët e Shtetit Islamik kanë avancuar shumë pak kilometra nga qendra e Kobanit gjatë së enjtes, duke marrë kontrollin e qindra fshatrave përreth dhe duke detyruar 150 mijë kurdë të Sirisë të largohen për në Turqi.
“Ekzistenca e militantëve islamik në rajon, vetëm 37 kilometra larg kufirit turko-sirian ku ndodhet edhe varri i Shah Sulejmanit, përbën një rrezik të qartë për sigurinë tonë kombëtare. Varri i Shah Sulejamnit është pjesë e pandashme e territorit tonë dhe është detyrë e shtetit që ta mbrojë. Republika turke nuk do të ngurrojë të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për përmbushjen e këtij detyrimi”, është shprehur Ismet Yilmaz, ministër i Mbrojtjes.
Kujtojmë se pasditen e së enjtes, Parlamenti turk miratoi një mocion, i cili i mundëson qeverisë të autorizojë inkursione ushtarake përtej kufirit, në Siri dhe në Irak, për të luftuar militantët e Shtetit Islamik.
Mocioni, i cili u miratua nga një shumicë prej 3/4-tave të Parlamentit, 298 pro dhe 98 kundër, lejon gjithashtu ushtarët e huaj të stacionohen në Turqi dhe të përdorin bazat e saj ushtarake për të njëjtin qëllim.
Ankaraja ka qenë nën presion të vazhdueshëm për të luajtur një rol më të fuqishëm në fushatën ushtarake të udhëhequr prej Amerikës, kundër Shtetit Islamik, pasi kryengritësit avancuan shumë pranë kufirit turko-sirian.
Ushtria turke është angazhuar të mbrojë varrin monumental të Shah Sulejmanit, gjyshit të themeluesit të Perandorisë Otomane, në një prej enklavave turke në Veri të Sirisë, duke urdhëruar trupat e saj të nxitojnë në mbrojtje të saj, në rast nevoje. “Një thirrje juaja dhe ne do të jemi menjëherë në krahun tuaj”, kështu është shprehur shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Necdet Ozel, në një deklaratë të shkruar.
Top Channel