Katalonja sfidon Madridin: Vazhdojmë me referendumin

03/10/2014 00:00

Udhëheqësit katalanas sfidojnë Madridin duke njoftuar
vazhdimin e përgatitjeve për mbajtjen e referendumit të 9 nëntorit mbi
pavarësinë.

Një zëdhënës i autoriteteve rajonale tha për mediat se do të vazhdohet me përgatitjet për t’u dhënë të drejtën qytetarëve që të shprehen me votë për këtë çështje.

Të hënën Gjykata Kushtetuese pranoi të marrë në shqyrtim kërkesën e qeverisë qendrore në Madrid për të verifikuar përputhjen me kushtetutën e vendit të referendumit dhe me një vendim të ndërmjetëm pezulloi mbajtjen e tij deri në daljen e një interpretimi përfundimtar.

Sipas qeverisë së Spanjës referendumi shkel kushtetutën e vendit dhe kryeministri Mariano Rajoy është zotuar se “asgjë dhe askush nuk do të lejohet që të ndajë Spanjën”.

Presidenti i Rajonit të Katalonjës, Arturo Mas thotë se synimi është zhvillimi i një referendumi nën shembullin e Skocisë dhe se më shumë se sa rezultati, i rëndësishëm është procesi.

Plani i Madridit për të bllokuar referendumin ka shkaktuar protesta masive në Barcelonë. Qindra-mijëra qytetarë dolën në rrugët e qytetit për të kërkuar atë që ata e cilësojnë si të drejtë për të vetëvendosur.

Protestuesit shprehen të pakënaqur nga vendimi i autoriteteve në Madrid për të mos zgjeruar pushtetin e parlamentit dhe qeverisë rajonale dhe kërkojnë mbajtjen e një referendumi të ngjashëm me atë skocez.

Por ndërsa skocezët i thanë jo shkëputjes nga Britania e Madhe, në Spanjë situata paraqitet ndryshe, të paktën në sondazhe. Këto të fundit flasin për një mbështetje të fortë pro-pavarësisë, nxitur edhe nga kriza financiare.

Katalunja, me 7.5 milion banorë që përbën 16 përqind të popullsisë totale të Spanjës, është rajoni më i zhvilluar dhe i industrializuar i vendit. Në Barcelonë akuzojnë qeverinë qendrore në Madrid se me taksat e vendosura ndaj tyre po mban rajonet e tjera më të varfëra të vendit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB