Militantët e ISIS pretendojnë se kanë ekzekutuar një tjetër peng britanik. Në një video të publikuar në internet tregohen pamjet e prerjes së kokës së Alan Henning.
Video nis me shkrimin: “Një mesazh i ri ndaj Amerikës dhe aleatëve”, më pas xhelati i drejtohet Presidentit të Shteteve të Bashkuara: “Obama vendosi të bombardojë Sirinë, popullin tonë. Për këtë arsye është e drejtë që ne të ekzekutojmë një tjetër prej njerëzve tuaj”. Ashtu si edhe në versionet e mëparshme është lëshuar një mesazh edhe nga pengu. “Për shkak të vendimit të parlamentit tonë për të sulmuar Shtetin Islamik, Britania do të paguajë çmimin për këtë vendim”, ka thënë Henning.
Taksisti nga Salford-i, i cili kishte mbërritur në Siri si një punëtor humanitar është rrëmbyer në muajin dhjetor të vitit të kaluar nga militantë. ISIS kishte kërcënuar se do të ekzekutonte 47-vjeçarn në videon e vrasjes së David Haines, e cila ishte publikuar gjatë muajit të kaluar.
Ditën e martë, bashkëshortja e Henning bëri thirrje për lirimin e tij, duke thënë se ai ishte i pafajshëm.
Militanti i cili paraqitet në video duke ekzekutuar pengun e katërt perëndimorë ka kërcënuar se do të ekzekutohet edhe pengu amerikan, Peter Edward Kassig.
Ministria e Jashtme në Britani reagoi menjëherë duke thënë se ishte duke punuar për të verifikuar autenticitetin e videos, por nëse ekzekutimi do të ishte i vërtetë, ai është cilësuar si një “vrasje tejet e pështirë”. I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Kryeministrit të Britanisë David Cameron, i cili ka dënuar vrasjen Alan Henning nga militantët e ISIS.
“E gjitha kjo tregon për barbarizmin e këtyre terroristëve të neveritshëm. Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për të gjetur vrasësit dhe t’i vendosim ata para drejtësisë”, tha Cameron.
Top Channel