Hong Kongu, 25 vjet nga Tienanmeni

03/10/2014 00:00

Protestat e Hong Kongut po shihen si sfida më e madhe politike për Kinën, që prej lëvizjes së Tienanmenit në vitin 1989.

7 javë demonstratash përfunduan asokohe me një sulm të ushtrisë. Por, edhe pse mes dy valëve të protestave ka shumë ngjashmëri, nuk është e thënë të përfundojnë njësoj.

Paralele mes asaj çfarë ndodhi në pranverën e Pekinit, 25 vjet më parë, dhe vjeshtën e sotme të Hong Kongut, është e vështirë të mos hiqen. Në të dy rastet, dhjetra mijëra vetë kanë pushtuar rrugë dhe sheshe të qyteteve të mëdha në një sfidë të drejtpërdrejtë ndaj autoritetit të paprekshëm të Partise Komuniste kineze.

Që të dyja lëvizjet nisën prej studentëve, të trajtuar gjithmonë me nderim në këtë vend, për t’u rritur më pas deri në pikën e shndërrimit në bazën e një fushate të gjerë mosbindjeje civile.

Përveç se ndajnë të njëjtën frymë idealizmi rinor, këto protesta karakterizohen edhe nga i njëjti entuziazëm i rrethuar me një përzierje qetësie, mirësjelljeje dhe qëndrese.

Ashtu siç ndodhi dhe çerekshekulli më parë, protestuesit e Hong Kongut kanë gjetur mbështetje edhe tek ata që nuk i janë bashkuar lëvizjes së tyre. Kalimtarë të rastit e njerëz të thjeshtë u kanë dhënë ushqime dhe ujë, ndërsa disa kanë vendosur vullnetarisht t’i bashkohen nismës.

Në Pekinin e vitit 1989, reporterët dëshmuan me habi se si edhe funksionarë të ashpër partiakë u transformuan papritur në rebelë të hareshëm, që pas vitesh të tëra bindjeje të verbër, tani kërkonin hapur largimin e liderëve komunistë.

Studentët e Hong Kongut morën po kështu mbështetjen e një pjese të mirë të komunitetit të biznesit, që pranon megjithatë se po provon të pamundurën. Politika e mos-dhunës dhe mungesa e çdo lloj arme, përtej maskave primitive të gazit apo ndonjë barrikadë të improvizuar aty për aty, është një e përbashkët tjetër.

Po çfarë do të ndodhe kur situata të bëhet tepër acaruese për udhëheqjen komuniste të Kinës, ose thjesht t’i humbasë durimi. Qindra, në mos mijëra vetë, vdiqën në sheshin Tienanmen, kur për të shtypur protestën u dërguan tanke e mbi njerëzit në rrugë u hap zjarr.

Tani duket e paimagjinueshme që Kina t’i rikthehet sërish përdorimit të forcës, çka do të vendoste menjëherë në vëmendjen e të gjithë botës. E vetmja alternativë e momentit mbeten lëshimet, por edhe vetë ulja në negociata do të shihej si shenjë dobësie, ndërsa plotësimi i kërkesës së demonstruesve për zgjedhje të lira demokratike duket krejtësisht i pamundur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB