Sa më shumë të vazhdojë me këto ritme infektimi i njerëzve nga Ebola, aq më të mëdha janë shanset që virusi shkaktar i sëmundjes vdekjeprurëse të pësojë mutacione duke u përhapur lehtësisht nga ajri.
I ngarkuari i OKB-së me reagimin ndaj epidemisë, Anthony Banbury, nuk e përjashton mundësinë e përhapjes së saj të shpejtë në rrugë ajrore, nëse nuk resht së infektuari bartës të rinj.
“Sa më shumë të qarkullojë virusi në atë fuçi baruti për sëmundjet, që është Afrika Perëndimore, aq më të mëdha janë mundësitë që ai të pësojë mutacion. Ky është skenari më i frikshëm që ekziston, e shpresojmë të mos realizohet kurrë, por gjithsesi nuk duhet përjashtuar”, tha Anthony Banbury, i OKB-së.
Komentet e zyrtarit të lartë të Kombeve të Bashkuara vijnë në kohën kur organizatat e ndihmës, që përballen me krizën e Ebolës në Afrikë, paralajmëruan komunitetin ndërkombëtar se ka vetëm 4 javë në dispozicion për ndalimin e përhapjes së saj, në të kundërd, situata do të dalë krejtësisht jashtë kontrollit.
Një ditë më parë, Sekretari i Jashtëm britanik Philip Hammond bëri thirrje për “veprime të vendosura” në luftën kundër Ebolës, që deri tani ka shkaktuar vdekjen e mbi 3000 vetëve.
Në konferencën e mbajtur në Londër për këtë çështje, ai u shpreh se masat do të ndihmojnë të shpëtohen mijëra jetë, e të parandalohet një përshkallëzim i situatës.
Aktivitetin e organizuan bashkarisht Britania dhe Sierra Leone, me synimin të hedhë dritë mbi përmasat e epidemisë dhe të nxisë angazhimin ndërkombëtar përpara një konference donatorësh, të planifikuar të zhvillohet pas pak ditësh.
Top Channel