Mesazh i fortë nga Jerusalemi/ Greqia, Izraeli dhe Qipro forcojnë boshtin e sigurisë
Britania nuk do të jetë më anëtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, nëse kjo e fundit, me seli në Strasburg, nuk do të bjerë dakord që Parlamenti britanik të ketë fjalën e fundit mbi vendimet e saj.
Deklarata është lëshuar nga kryeministri britanik David Cameron, lider i konservatorëve, gjatë së premtes. Kryeministri u ankua se vendimet e Strasburgut kanë ndaluar Britaninë të deportojë militantë të dyshuar, duke këmbëngulur mbi të drejtat e njeriut në fushëbetejat e Afganistanit dhe duke lënë në fuqi të drejtën e të burgosurve për të votuar.
“Ne nuk kemi nevojë për udhëzime nga gjykatësit në Strasburg”, tha Cameron përpara aktivistëve konservatorë, gjatë fjalimit të tij në qytetin e Birminghamit, më 1 Tetor.
Sipas këtij propozimi, nëse konservatorët do të fitojnë një tjetër mandat për të qeverisur Britaninë në Maj të vitit 2015, Mbretëria e Bashkuar do të miratojë një projektligj për të Drejtat e Njeriut, që do të përcaktonte aplikimin e të drejtave të njeriut në Britani.
Ndryshimet e propozuara nënkuptojnë që vendimet e Gjykatës Europiane nuk do të jenë më efektive apo detyruese ndaj Gjykatës Supreme (të Britanisë) dhe se Parlamenti “Westminster” do të ketë të drejtën e vetos ndaj gjykimeve të Gjykatës së Strasburgut.
Akti për të Drejtat e Njeriut, legjislacion i brendshëm që mëshiron parimet ndërkombëtare të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut (ECHR) në ligjit britanik, do të hidhet tutje.
“Nuk mund të ecim përpara me këtë situatë, ku ndryshimet e ligjeve tona bëhen në një gjykatë ndërkombëtare dhe mbivendosen jo në mënyrë demokratike në Mbretërinë e Bashkuar”, tha Sekretari për Drejtësinë, Chris Grayling për “the Times”.
“Këto ndryshime nënkuptojnë se Parlamenti britanik do të ketë fjalën e fundit për gjithçka”, është cituar ai të ketë thënë. Teksti origjinal i Konventës së të Drejtave të Njeriut të vitit 1950 do të vihet në themel të legjislaiconit britanik, sipas “the Times”.
Top Channel