Ushtarë të forcave speciale australiane do të dërgohen në Irak, për të asistuar në luftimet kundër militantëve të Shtetit Islamik. Lajmi është konfirmuar këtë të premte nga kryeministri Tony Abbott, duke shtuar se avionët luftarak australianë do t’i bashkohen sulmeve të koalicionit të udhëhequr prej Amerikës.
Abbot, në një konferencë për shtyp përpara kombit, tha se trupat australianë do të angazhohen me aftësitë e tyre “këshilluese dhe asistuese” në mbështetje të ushtrisë irakiane, në betejën e këtyre të fundit kundër grupit të militantëve ekstremistë.
Shtetet e Bashkuara kanë bombarduar Shtetin Islamik dhe grupe të tjera në Siri prej rreth 2 javësh tashmë, të ndihmuar edhe nga vendet aleate arabe, ndërsa kanë goditur objektivat e këtij grupi në Irak që prej muajit Gusht.
Edhe vende europiane i janë bashkuar fushatës në Irak, por ende jo në Siri.
Muajin e kaluar, Abbot dërgoi avionë luftarak dhe një personel prej 600 vetësh në Emiratet e Bashkuara Arabe, në përgatitje për t’iu bashkuar koalicionit. Që prej atëherë, ai tha se me shumë mundësi do t’iu bashkohej sulmeve kundër Shtetit Islamik, një grup të cilin e përshkroi si “kult vrastar dhe i vdekjes”.
“Sot, kabineti ka autorizuar sulmet ajrore australiane në Irak, me kërkesë të qeverisë irakiane dhe në mbështetje të saj”, tha Abbott. “Gjithashtu, bazuar mbi dokumentacionin përfundimtar ligjor, kabineti ka autorizuar edhe dërgimin e forcave speciale australiane në Irak, për të këshilluar dhe asistuar forcat irakiane”.
E ndërsa avionët australianë ishin thuajse të ditura që do të sulmonin, dërgimi i trupave tokësore konsiderohet si një zhvillim i papritur, por gjithnjë në të njëjtën vijë me misionit kundër Shtetit Islamik. Deri më tani, avionët australianë ishin të kufizuar me misione për ndihma humanitare dhe në dërgesat e armatimeve për forcat e qeverisë irakiane.
Top Channel