Kryeministri britanik David Cameron ka mbërritur këtë të premte në Afganistan, në një vizitë të paparalajmëruar, për t’u takuar me krerët e qeverisë së re të unitetit.
Vizita e tij është e para e një lideri perëndimor që viziton vendin aziatik që prej ngërçit të zgjedhjeve, që u zgjidh me formimin e një qeveria që ndan pushtetin edhe me rivalët, duke shmangur kështu kërcënimet për një konflikt të armatosur.
Cameron mbërriti në Afganistan vetëm 4 ditë pas betimit të Presidentit të ri, Ashraf Ghani, pas disa muajsh trazirash politike prej zgjedhjeve të diskutueshme. Ai tha se synon të bashkëpunojë në të ardhmen me Ghanin dhe me shefin e ri ekzekutiv të Afganistanit, Abdullah Abdullah.
“Të gjithë ndajmë të njëjtat objektiva, që përfshijnë një Afganistan me më shumë siguri, stabilitet dhe prosperitet”, tha Cameron në një konferencë të përbashkët për shtyp me Ghanin. “Duam një Afganistan që nuk shërben më si një strehë e sigurt për terroristët, apo si një kërcënim ndaj sigurisë së vendeve tona. Sot ne kemi diskutuar se si mund t’i përmbushim këto objektiva”, shtoi kryeministri britanik.
Ngërçi i stërzgjatur, i shkaktuar prej zgjedhjeve të Qershorit, mes Ghanit dhe rivalit të tij Abdullah shtoi frikën për një destabilizim të ri të vendit përpara tërheqjes së shumicës së trupave të huaja nga Afganistani. Kriza mori fund me një marrëveshje politike që emëroi Ghanin si President të vendit dhe Abdullahun si shef ekzekutiv me pushtet më të zgjeruar.
Duke lënë mënjanë Shtetet e Bashkuara, Britania ishte kontribuesi i dytë më i madh i koalicionit ushtarak ndërkombëtar, që ka qenë i vendosur në Afganistan që prej ndërhyrjes së kryesuar prej SHBA-ve në vitin 2001, për të rrëzuar regjimin islamik radikal të talebanëve, pas sulmeve terroriste të 11 Shtatorit ndaj Shteteve të Bashkuara.
Më shumë se 450 trupa britanik janë vrarë në Afganistan gjatë luftës që pasoi kundër kryengritjes talebane dhe militantëve të tjerë aleatë. Shumica e trupave britanik do të tërhiqen në fund të këtij viti, kur dhe mbaron misioni luftarak i koalicionit, ndërsa forcat e sigurisë të trajnuara rishtazi të Afganistanit do të marrin “frerët në duar” në luftën kundër talebanëve.
Top Channel