Parlamenti turk ka miratuar gjatë së enjtes një mocion, i cili i mundëson qeverisë të autorizojë inkursione ushtarake përtej kufirit, në Siri dhe në Irak, për të luftuar militantët e Shtetit Islamik.
Mocioni, i cili u miratua nga një shumicë prej 3/4-tash të Parlamentit, 298 pro dhe 98 kundër, lejon gjithashtu ushtarët e huaj të stacionohen në Turqi dhe të përdorin bazat e saj ushtarake për të njëjtin qëllim.
Ankaraja ka qenë nën presion të vazhdueshëm për të luajtur një rol më të fuqishëm në fushatën ushtarake të udhëhequr prej Amerikës kundër Shtetit Islamik, pasi kryengritësit avancuan shumë pranë kufirit turko-sirian.
“Ekzistenca e militantëve islamik në rajon, vetëm 37 kilometra larg kufirit turko-sirian ku ndodhet edhe varri i Shah Sulejmanit, përbën një rrezik të qartë për sigurinë tonë kombëtare. Varri i Shah Sulejamnit është pjesë e pandashme e territorit tonë dhe është detyrë e shtetit që ta mbrojë. Republika turke nuk do të ngurrojë të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për përmbushjen e këtij detyrimi”, është shprehur Ismet Yilmaz, ministër i Mbrojtjes.
Ushtria turke është angazhuar të mbrojë varrin monumental të Shah Sulejmanit, gjyshit të themeluesit të Perandorisë Otomane, në një prej enklavave turke në Veri të Sirisë, duke urdhëruar trupat e saj të nxitojnë në mbrojtje të saj, në rast nevoje. “Një thirrje juaja dhe ne do të jemi menjëherë në krahun tuaj”, kështu është shprehur shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Necdet Ozel, në një deklaratë të shkruar.
Por, Presidenti Tayyip Erdogan këmbëngul se sulmet ajrore të udhëhequra prej Amerikës, të vetme nuk do ta ndalin kërcënimin e Shtetit Islamik, ndaj dhe bëri thirrje për largimin e Presidentit sirian Bashar al-Assad, një synim që nuk i përket momentalisht koalicionit ushtarak të udhëhequr nga SHBA-të.
Turqia akuzon Assadin se ka ndihmuar në rritjen e Shtetit Islamik përmes politikave të tij sektare dhe beson se stabiliteti në kufirin turko-sirian prej 900 km do të përkeqësohet nëse ai nuk do të largohet nga pushteti.
Ka pasur gjithashtu një ngurrim nga ana e turqve, pasi një veprim ushtarak mund të forcojë luftëtarët kurd, aleatë të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), një grup militantësh që kanë luftuar kundër shtetit turk për 3 dekada, e që mes palëve po zhvillohen së fundi bisedime të brishta paqeje.
Top Channel