Perspektiva e rikthimit të Nicolas Sarkozy, si një kandidat potencial për Presidencën franceze në vitin 2017, ka përçarë opinionin më dysh, madje edhe ish-Presidentin Jacques Chirac me të shoqen e tij Bernadette.
Chirac, i cili nuk e ka fshehur kurrë mospëlqimin për Sarkozynë, ka përcaktuar një tjetër kandidaturë të mundshme, duke zgjedhur ish-kryeministrin Alain Juppe. Ndërsa bashkëshortja e tij, Bernadette, doli në një transmetim televiziv për të zhvlerësuar apelin e Juppes ndaj votuesve.
Sarkozy nisi rikthimin e tij në politikë gjatë javës së kaluar, teksa hapi fushatën për udhëheqjen e partisë së tij të qendrës së djathtë UMP me një miting në qytetin verior të Lilles, një hap ky që shihet si paraprirje drejt triumfit në zgjedhjet presidenciale të 2017-s.
59-vjeçari Sarkozy, i cili humbi me një diferencë të ngushtë votash zgjedhjet presidenciale të vitit 2012 kundër rivalit të tij socialist, Presidentit aktual Francois Hollande, i cili në fakt është kthyer tashmë në Presidentin më pak popullor të historisë moderne të Francës.
Juppe nuk do të garojë për kreun e partisë UMP, por ka deklaruar haptazi ambiciet e tij për të fituar kandidaturën e partisë së tij për Presidencialet 2017, duke argumentuar se ka një mbështetje më të gjerë se sa Sarkozy.
Korrespondentët thonë se Juppe, 69 vjeç, është një nga të paktët politikanë të partisë UMP, i aftë për të sfiduar denjësisht Sarkozynë, teksa këtë sfidë duket se e kanë nisur që prej vitit 2012.
Duke folur për “Le Figaro”, 81-vjeçari Chirac tha: “Gjithmonë e kam ditur se Alain Juppe do t’i përgjigjej thirrjes së fatit të tij dhe të Francës. Vetëm pak gjëra do të më kënaqnin në këtë moment… Do të ishte një fitore për mua, për të dhe veçanërisht për vendin tonë. Nëse do të kisha ende fuqi, do të kisha prenotuar vendin tim, sado të vogël, në krye të fushatës për Juppen”.
Gjithsesi, Bernadette Chirac tha për stacioni radiofonik “Europe 1” se Juppe ishte “shumë i ftohtë dhe nuk tërhiqte aspak njerëzit”. Akuza u injorua fillimisht nga Juppe, por më pas ai tha se “ky ishte një stereotip i kohëve të vjetra”.
Top Channel