
Ish-deputeti i Partisë Demokratike Selami Xhepa thotë se rritja e çmimit të energjisë, në kushtet kur gjysma e saj vidhet do ishte një politike e padrejte dhe pa moral.
“Kjo mungesë e mirëmenaxhimit të korporatës nuk mund t’i faturohet qytetarit shqiptar. Pra edhe sikur të ketë një bazë ekonomike nevoja për të rishikuar trafimin e energjisë elektrike, unë mendoj që mungon baza morale dhe një politike që i mungon baza morale është e vështirë që të ketë një bazë të shëndetëshme dhe të përqafohet nga pjesa më e madhe e popullsisë”, thotë Selami Xhepa, ekspert i ekonomisë.
Xhepa thotë se kriza e thellë financiare e sektorit energjetik është pasojë e keqmenaxhimit shumëvjecar, që kulmoi me privatizimin e shpërndarjes në vitin 2009. Si ish-këshilltar i Kryeministrit Berisha në atë kohë, ai pranon se qeveria e djathtë dështoi me privatizimin, por thekson se një pjesë e përgjegjësisë i takon edhe Bankës Botërore, si konsulente e procesit.
“Fatkeqësisht kontrata ndoshta kishte parashikuar vetëm objektivin final të cilat dihet tashmë që jo vetëm nuk u realizuan, por e çuan korporatën nga një nivel relativisht i shëndetshëm në një nivel që dihet tashmë që rezultoi katastrofal, në pikën e vetme më të vështirë qoftë teknike, qoftë financiare”, shton Xhepa.
Sipas tij, treguesit e kompanisë së shpërndarjes dhe gjendja e saj financiare mund të përmirësohen në një kohë të shkurtër nëse qeveria do të ketë vullnet.
“Korporata duhet në mënyrë emergjente të përmirësojë performancën e saj dhe kjo nuk është çështje që kërkon kohë, pra të ketë vite që të përmirësohet. Nëse kjo shihet si çështje serioze, ne e dimë që problemi qendron tek korporata, që do të thotë i gjithë personeli duhet të jetë aktiv në përmbushjen e detyrimeve të saj”, deklaron Xhepa.
Në dhjetor Enti Rregullator pritet të vendosë tarifat e reja të energjisë. Ndërkohë pranë tij kanë mbërritur sakaq kërkesat e para nga kompanitë publike, të cilat kërkojnë rritjen e çmimit.
Top Channel