Në kohën kur vëmendja është përqendruar tek rreziku i terrorizmit, krimi i organizuar në Gjermani ka zgjeruar dimensionet e tij. 2013-ta regjistroi një rritje alarmante për autoritetet gjermane të aktivitetit të krimit të organizuar, ku në pjesën dërrmuese të rasteve janë të përfshirë shtetas jo gjermanë.
Ministri i Brendshëm gjerman kërkoi disa ndryshime ligjore dhe thellim të bashkëpunimit me vendet kandidate për në Bashkimin Europian, ku bën pjesë edhe Shqipëria për të shmangur që vendi të shndërrohet “parajsë të aktivitetit të këtij krimi”.
“Krimi i organizuar përbën një kërcënim që nuk mund të harrohet apo të eklipsohet nga ngjarjet në Siri dhe Irak”, deklaroi Ministri Thomas de Maiziere gjatë prezantimit të raportit për 2013-ën ditën e mërkurë.
Në të dhënat e grumbulluara nga autoritetet gjermane në 78 përqind të rasteve hetimet ndaj organizatave kriminale kanë çuar në gjurmë të shtetasve të huaj. Prejardhja e individëve të përfshirë direkt apo indirekt në organizata kriminale është identifikuar nga 128 vende të ndryshme, kryesisht, sipas Ministrit gjerman nga Italia, vendet e Ballkanit, Rusia dhe Holanda.
Eksperti penal i Universitetit Tubungen, Jorg Kinzig tha për DW se policia gjermane ka buxhet të kufizuar për t’u përballur me sukses me këtë formë krimi.
“Para 11 shtatorit 2011 krimi i organizuar ishte në plan të parë, por që prej asaj kohe mund të vihet re lehtësisht se terrorizmi e ka zënë këtë vend dhe organizatat apo grupet e strukturuara kriminale kanë përfituar nga kjo”, thotë Kinzig.
Në 2013-ën në gjithë Gjermaninë kanë nisur 580 hetime, një rritje prej 2 përqind e rasteve. Dëmi i shkaktuar shtetit nga aktiviteti i organizatave kriminale për këtë vit llogaritet në 721 milion euro.
Ajo që bie në sy është se në raport përmendet Shqipëria si “eksportuesja” kryesore e krimit në Gjermani gjatë këtij viti, së bashku me Poloninë dhe Lituaninë, ndërsa numrat nga Turqia dhe Rumania pësuan rënie.
Në fjalën e tij, ministri gjerman premtoi forcimin e bashkëpunimit me qeveritë e huaja, veçanërisht me qeveritë e Ballkanit për të luftuar krimin e organizuar, ku nuk munguan kritikat ndaj Serbisë dhe Shqipërisë për mungesë bashkëpunimi gjatë 2013-ës.
Sipas një raporti të një instituti në Milano çdo vit aktiviteti kriminal në mbarë Europën qarkullon rreth 100 miliard euro dhe thuajse e gjithë kjo shumë legjitimohet nëpërmjet pastrimit duke investuar kryesisht në ndërtim, tregti apo aktivitete të tjera.
Top Channel