Kina godet produktet e qumështit evropian, tarifa deri në 42.7% për importet nga BE
Luftëtarë të Shtetit Islamik kanë përforcuar pushtimin e qytetit strategjik të Kobanit, në kufirin mes Sirisë dhe Turqisë gjatë së premtes, duke detyruar forcat kurde të zmbrapsen dhe duke hedhur të paktën dy bomba në territorin turk.
Disa qindra protestues të paarmatosur, të cilët ishin mbledhur në anën e kufirit turk në solidaritet me kurdët sirianë, kanë mundur të hedhin poshtë një gardh me tela e janë drejtuar për në brendësi të Kobanit, në përpjekje për të ndihmuar në mbrojtjen e qytetit.
Shteti Islamik nisi sulmet ndaj Kobanit më shumë se 1 javë më parë duke e pushtuar atë nga 3 anë, ndërkohë që më shumë se 140 mijë kurdë janë larguar nga qyteti dhe fshatrat e rrethuar, që prej të premtes së kaluar, duke kaluar kufirin për në Turqi.
Sulmet ajrore të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kanë shënjestruar luftëtarët e Shtetit Islamik ngado në Siri, por disa zyrtarë ushtarakë kurdë kanë thënë se ato e kanë bërë më të pasigurt situatën në Kobani, duke nxitur kryengritësit sunitë të shkojnë drejt kufirit me Turqinë.
Luftëtarë të ISIS duken se kanë marrë kontrollin e një kodre, rreth 10 km në Perëndim të Kobanit, nga ku grupi kryesor i armatosur i kurdëve “Peshmerga” kanë sulmuar ata në Sirinë veriore gjatë ditëve të fundit.
Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, me seli në Britani, e që monitoron gjendjen e luftës në Siri, tha se luftëtarët e ISIS kanë marrë gjithashtu kontrollin e një fshati rreth 7 km në Lindje të Kobanit.
Ndërkaq, raportohet se të shtëna artilerie të rëndë dhe breshëritë e mitralozëve janë shtuar së tepërmi përgjatë kufirit, ndërkohë që dy predha kanë goditur një pjesë brenda kufirit turk, edhe pse momentalisht nuk ka raportime për viktima.
Top Channel