Britania voton në favor të sulmeve në Irak

26/09/2014 00:00

Pas një debati që zgjati për plot 7 orë, parlamentarët britanikë kanë votuar në favor të ndërhyrjes ushtarake, 524 pro dhe 43 kundër.

Udhëheqësit e konservatorëve, liberal-demokratëve dhe laburistëve mbështetën të gjithë sulmet ajrore, edhe pse disa parlamentarë shprehën shqetësimet nëse ky veprim do të çonte më pas te një përfshirje e ardhshme në Siri.

Sipas korrespondentëve të BBC, avionët luftarak “RAF” mund të futen në aksion që prej mëngjesit të së dielës. Sekretari i Mbrojtjes, Michael Fallon, duke folur pas votimit, tha se përpara i pret një fushatë e gjatë dhe se nuk do të ketë “një seri sulmesh të menjëhershme”.

Sipas tij, prioritet duhet të jetë kufizimi i “vrasjes së civilëve” në Irak dhe Britania, së bashku me aleatët e tjerë, do të vazhdojnë të udhëhiqen nga inteligjenca irakene dhe kurde për të identifikuar objektivat e ISIS.

Rreth 24 laburistë mendohen të kenë votuar kundër sulmeve ajrore dhe disa konservatorë besohen të kenë abstenuar.

Më herët, kryeministri David Cameron tha përpara parlamentarëve se ndërhyrja me kërkesë të qeverisë së Irakut ishte “moralisht e justifikueshme” për të luftuar “një organizatë terroriste tepër brutale”, e sigurisht që është më se e ligjshme.

“Ky nuk është thjesht një kërcënim në anën e largët të botës. Nëse ne e lëmë situatën pas dore, fillimisht do të ndeshemi me kalifatin terrorist në brigjet e Mesdheut, i cili do të avancojë në vendet anëtare të NATO-s dhe më pas do të vijë te ne. Ky do të jetë një kërcënim i drejtpërdrejtë për vendin tonë, për njerëzit tanë. Kjo që po ju them nuk është një fantazi, por po ndodh përpara nesh dhe ne duhet të përballemi”, u tha Cameron parlamentarëve.

Ai mori mbështetjen e liderit laburist Ed Miliband, i cili tha se mosveprimi do të çonte në “më shumë vrasje” në Irak, shumica e territorit të të cilit kontrollohet nga Shteti Islamik.

Edhe lideri i liberal-demokratëve, Nick Clegg, tha se “ishte e pamundur të arsyetoje” me Shtetin Islamik dhe se Britania nuk mund të “paralizohet” prej ligjshmërisë së luftës së Irakut në 2003. Miliband, i cili një vit më parë detyroi kryeministrin të braktiste planet për sulme ajrore kundër regjimit sirian, tha se “Britania thjesht nuk mund të qëndrojë në vendnumëro”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB