
Presidenti i Francës, Francois Hollande, ka dënuar ekzekutimin me prerje koke në Algjeri të turistit Herve Gourdel nga ana e një grupi xhihadist që është i lidhur me ISIS-in. Presidenti francez e cilësoi vrasjen si “mizore dhe burracake”.
Turisti 55-vjeçar u vra pasi përfundoi ultimatumi ndaj Francës për të ndaluar sulmet ajrore ndaj ISIS-it në Irak. Pavarësisht kësaj, Hollande theksoi se sulmet franceze ndaj militantëve që kanë nisur javën e kaluar, do të vazhdojnë.
“Franca nuk do të bjerë pre’ e shantazheve. Lufta kundër terrorizmit duhet të vazhdojë. Ne do të vazhdojmë ta luftojmë terrorizmin kudo, sidomos në Irak dhe Siri, ku ISIS-i përndjek civilët, persekuton minoritetet fetare, përdhunon dhe pret koka”, tha presidenti Francois Hollande në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Gourdel, 55 vjeç, u mor peng teksa po vizitonte Kabylie-n, rajon veri-lindor i Algjerisë. Gourdel u mor peng vetëm pak orë pasi militantët e Shtetit Islamik paralajmëruan se do të vinin në shënjestër edhe Francën, pasi Parisi nisi sulmet ajrore ndaj tyre në Irak.
Top Channel