
Kryetari i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, Erjon Braçe i kërkoi ministrit të Financave të mos pranojë që Banka e Shqipërisë t’i përcjellë kostot e vjedhjes së 713 milionë lekëve në buxhetin e shtetit.
“Sipas ligjit, ju keni të drejtën të keni pa të drejtë vote brenda Këshillit Mbikëqyrës të Bankës. Ju lutem përcillni edhe shqetësimin e këtij Komisioni. Dëmet e shkaktuar nga ata njerëz atje nuk mund të mbarten në buxhetin e shtetit. Nuk mund t’i sjellin kosto buxhetit të shtetit”, u shpreh Braçe.
Një ditë më parë Top Channel zbuloi skemën përmes të cilave paratë e vjedhura në Bankën e Shqipërisë do u ngarkohen qytetarëve, duke ulur fitimin që ky institucion transferon në buxhet. Për zotin Braçe kostot duhet të bien mbi vetë bankën.
“Te shkurtojne shpenzimet e llahtarshme qe kane siç po shkurtojme ne dhe te jene te pergjegjshem dhe më të ndershëm para gjithë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë”, u shpreh Braçe.
Vjedhja e parave ka pakësuar kapitalin e bankës me 713 milionë lekë, të cilat banka synon t’i zëvendësojë duke ulur në të njëtën masë fitimin e përvitshëm që ajo derdh për llogari të buxhetit.
Top Channel