
39 deputetë të mazhorancës kanë depozituar në Kuvend kërkesën për shkarkimin e zëvendëskryetarit të KLD-së, Elvis Çefa, dhe anëtarit Lulzim Lelcaj, të dy përfaqesues të Parlamentit, në atë që njihet si “qeveria e gjyqësorit”.
Kërkesa e deputetëve të mazhorancës thuhet se është e bazuar në shkeljen e rëndë të ligjit nga dy anëtarët në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Duke vënë në parantezë të kërkesës faktin, se sot gjyqësori gjendet i vlerësuar gjerësisht si i korruptuar, deputetët e mazhorancës theksojnë në kërkesën për shkarkimin e Çefës dhe Lelcajt se, ndryshe nga detyrimi për të përçuar në KLD vullnetin dhe besimin e Kuvendit, kanë lejuar dhe janë bërë pjesë e shkeljeve të rënda në veprimtarinë e këtij Këshilli.
Në kundërshtim nga sa vendimi i Gjykatës Kushtetuese përcakton, se anëtarët e zgjedhur nga Kuvendi në KLD përçojnë frymën e organit ligjvënës, nënshkruesit e kërkesës së shkarkimit të Çefës dhe Lelcajt, argumentojnë se nuk është mbrojtur dhe mëshiruar prej tyre ky parim kushtetues, që garanton kontrollin dhe balancimin e pushteteve.
Deputetët e mazhorancës rendisin 10 shkelje të rënda të ligjit, ku zëvendëkryetari Çefa dhe anëtari Lelcaj, me veprimet dhe mosveprimet janë pjesë e tyre. Deputetët rendisin si argument të parë, lejimin e konfliktit të interesit në promovimin e vet anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Si fakt të parë të kësaj shkeljeje, deputetët e mazhorancës kanë shënuar zgjedhjen e anëtarit Gjin Gjoni, si anëtar i Këshillit drejtues të Magjistraturës.
Më tej, deputetët rendisin si shkelje, mos emërimin si gjyqtar brenda afatit të magjistratëve, mos emërimin e 28 kryetarëve të gjykatave në kundërshtim me ligjin, emërimin e kryetarëve të gjykatave në kundërshtim me ligjin, promovimin kundra ligjit të gjyqtarëve, e deri te keq organizimi i sistemit gjyqësor, me pasojë privimin nga paga të gjyqtarëve.
Në shkeljet e KLD-së, deputetët rendisin edhe mosmarrjen në shqyrtim të kërkesave të ish-kryetares së Gjykatës së Lartë dhe ish-Prokurores së Përgjithshme.
Bazuar mbi këto shkelje, siç evidenton mazhoranca, kërkohet shkarkimi i zëvendëskryetarit dhe anëtarit. Përpara këtyre fakteve, Parlamenti nuk mund të heshtë, – shprehen në fund të kërkesës deputetët e mazhorancës.
Përplasja e mazhorancës me KLD-në dhe veçanërisht anëtarët e emëruar prej tij në të, doli në pah në rastin “Gjin Gjoni”, kur nuk u mbështet kërkesa e ministrit të Drejtësisë Naço për shkarkimin e tij, pas akuzës së ngritur nga ILDKP-ja për fshehje të pasurisë.
KLD, ku Çefa është zëvendëskryetar, doli kundër ndryshimeve ligjore të miratuara nga Kuvendi për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, të cilat kanë hyrë në fuqi vetëm pesë ditë më parë.
Top Channel