
“Kontribut personal për Bankën e Shqipërisë”. Kështu e cilësoi kryeministri Edi Rama thirrjen në emër të qeverisë së Aleancës për Shqipërinë Europiane, drejtuar të gjithë shqiptarëve që punojnë sot në sistemin financiar ndërkombëtar dhe që janë të disponueshëm të shqyrtohen si kandidatura të mundshme për t’u bërë pjesë e Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Rama i fton ata të të postojnë letrën e tyre të interesit në adresën e çelur enkas [email protected].
Ky proces, sqaron Rama, është tërësisht i bazuar në vullnetin e mirë të qeverisë për të dhënë kontributin e saj që Banka e Shqipërisë të dalë më e pavarur dhe më e sigurtë nga situata e krijuar.
Sipas shefit të ekzekutivit shqiptarë, edhe pse ligji nuk përcakton apo rregullon ndonjë proces a proçedurë shprehjeje interesi për mënyrën se si përzgjidhen kandidatët e Këshillit Mbikqyrës nga propozuesit e tyre përpara se të votohen në Kuvend. Kryeministri ka renditur 4 arsye përse ndërmerret ky proces:
a) Për të pasur një mundësi sa më të gjerë përzgjedhjeje
b) Për t’i dhënë hapësirë të merret në konsideratë kujtdo që ka mundësi të japë një kontribut si edhe dëshirë që ta bëjë këtë
c) Për ta ngritur Këshillin Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë në një stad të ri përgjegjësie e përgjegjshmërie profesionale
d) Për të vendosur meritën si parakusht të përzgjedhjes dhe thelluar depolitizimin e Këshillit Mbikqyrës.
Afati për të gjithë të interesuarit është data 30 shtator.
Top Channel