
Koordinatori i PD, Ervin Salianji, ka denoncuar gjatë së shtunës një ndërtim pa leje, sipas tij, të dajës së ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, i cili është njëkohësisht edhe kryetar i Bashkisë së Urës Vajgurore, një leje që është shpallur e pavlefshme nga Gjykata e Apelit të Vlorës.
“Partia Demokratike denoncon korrupsionin me ndërtimet pa leje në vend dhe politikën e standardit të dyfishtë që ndjek qeveria. PD ka dëshmuar me fakte, se të afërmit e ministrit të Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, konkretisht daja i tij, që është edhe kryetar i Bashkisë së Urës Vajgurore, janë përfshirë në një ndërtim të paligjshëm, që vazhdon edhe në këto momente”, ka deklaruar Salianji.
I ndodhur pranë vendit ku po ndërtohet ky pallat, ai shtoi se zotëron edhe vendimin e Gjykatës së Apelit Vlorë, që shfuqizon vendimin e njësisë vendore Ura Vajgurore.
“Jemi sot këtu, për të denoncuar këtë ndërtim klientelist, korruptiv, e që i vendos minat nga themeli shtetit të së drejtës. Kam këtu vendimin e Gjykatës së Apelit të Vlorës, e cila shfuqizon aktin administrativ të njësisë vendore Ura Vajgurore, dhe i jep të drejtë Inpektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar dhe një personi të tretë, i cili ka kërkuar që ky ndërtim të mos bëhet”, u shpreh Salianji.
Teksa raportohen raste të arrestimeve e procedimeve penale kudo, edhe për lyerje, e suvatime të shtëpive, ky pallat disakatësh, – deklaron Salianji, – që të gjithë banorët e Urës Vajgurore e dinë se po e ndërton kryetari i Bashkisë, njëkohësisht, daja i Erion Veliajt, vazhdon të hedhë shtat pa u shqetësuar nga askush. Sipas tij, ndërtimi në fjalë ishte kontestuar më parë nga INUK, i cili e fitoi gjyqin me Bashkinë e Urës Vajgurore dhe leja e ndërtimit u shpall e pavlefshme. Vendimi i marrë nga Gjykata e Apelit të Vlorës është i formës së prerë.
Top Channel