
Të dhënat e fundit zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se investimet e huaja direkte u tkurrën me 35.5 për qind në tremujorin e dytë të vitit, duke regjistruar kështu një nga rëniet më të forta vitet e fundit.
Sipas Bankës, në periudhën prill-qershor kompanitë e huaja investuan në ekonominë shqiptare 182.9 milionë euro, ose 100 milionë euro më pak se sa e njëjta periudhë e një viti më parë.
Fillimisht viti 2014 nisi i mbarë për investimet e huaja. Në tre muajt e parë të vitit ato u rritën me 73 milionë euro në terma vjetorë krahasuar me tremujorin e parë të 2013-s.
Por rënia në tremujorin e dytë e ka përmbysur tendencën pozitive. Si rezultat, në total për gjashtëmujorin shifra e investimeve është për këtë vit 7.3 për qind më e ulët se një vit më parë.
Përballë gjendjes së vështirë të ekonomisë dhe topitjes së investimeve nga biznesi vendas, investimet e huaja shihen si një nga burimet kryesore jo vetëm për të ushqyer rritjen ekonomike, por edhe zbutjen e papunësisë së lartë.
Vec kësaj, me shuarjen e dërgesave nga emigrantët, të cilat tashmë janë stabilizuara në nivele disa herë më të ulëta se vitet para krizës, investimet e huaja marrin rol kritik edhe në stabilitetin financiar të vendit, si një nga burimet kryesore të valutës nga jashtë.
Vitin e kaluar Shqipëria përfitoi në total 972 milionë euro investime nga jashtë, shumica e të cilave ishin të përqëndruara kryesisht në industritë e naftës.
Ekspertët e Bankës së Shqipërisë thonë se rënia në tremujorin e dytë mund të ketë lidhje pikërisht me ciklin e investimeve që kanë kompanitë koncesionare të naftës.
Top Channel