
Qeveria ka vendosur që ecurinë e dobët të investimeve publike, ta korrektojë përmes rishikimit të buxhetit.
Top Channel ka mësuar se Ministria e Financave po përgatit rishikimin e buxhetit të këtij viti, i cili do të konsistojë kryesisht në rishpërndarje fondesh brenda zërave.
Burime nga Ministria e Financave i thanë Top Channel se treguesit kryesorë të buxhetit, si të ardhurat totale, shpenzimet apo deficiti, nuk do të ndryshojnë, pasi realizimi i tyre është në linjë me planin fillestar.
Por, ndërhyrja në draft, sipas tyre, do të konsistojë kryesisht në rishpërndarje fondesh brenda zërit të investimeve publike.
Të dhënat zyrtare tregojnë se investimet publike janë zëri me ecurinë më të dobët në buxhet, jo vetëm krahasuar me një vit më parë, por edhe me programin buxhetor të këtij viti. Sipas tabelave nga Ministria e Financave, në shtatë muajt e parë ishin rreth 2 herë më të ulta se viti i kaluar dhe gati 28 përqind më të ulta se plani i periudhës.
Një ecuri, që është shndërruar në shqetësim edhe për Fondin Monetar Ndërkombëtar, pasi realizimi i dobët i investimeve mund të godasë rritjen ekonomike. Burime nga Ministria e Financave thanë se, përmes rishikimit, mund të rishpërndahen deri në dhjetë miliardë lekë, ose 100 milionë dollarë, nga fondi i investimeve, duke i hequr ato nga projektet me ecuri të ngadaltë, për t’i kaluar në vepra të tjera, që kanë realizim më të shpejtë, ose si fonde shpronësimesh.
Sipas tyre, rishpërndarja do të jetë vetëm brenda zërit të investimeve, duke bërë që shifra totale e këtij treguesi të mos ndryshojë, por të mbetet ajo që është parashikuar në fillim të vitit, përkatësisht 67.2 miliardë lekë.
Top Channel