Shefi i FMN-së, urgjent në SHBA

10/09/2014 00:00

Shefi i misionit të FMN në Tiranë, Nadim Ilahi është nisur me urgjencë drejt Uashingtonit për të diskutuar me shefat e tij zhvillimet e fundit në Bankën e Shqipërisë.

Prej disa javësh zoti Ilahi ndodhej në Tiranë në krye të misionit të radhës së Fondit, për diskutimet dhe vlerësimin periodik të marrëveshjes që ky instutcion ka me qeverinë shqiptare.

Por pas arrestimit të ish-guvernatorit Fullani dhe inspektores së përgjithshme dhe pas takimit që zhvilloi me kryeministrin Rama për këtë çështje, ai ka udhëtuar me urgjencë drejt Shteteve të Bashkuara.

Burime zyrtare i thanë Top Channel se Ilahi do të informojë shefat e tij në Uashtington, jo vetëm për ngjarjet në Bankën e Shqipërisë, por edhe për idetë e qeverisë për riorganizimin e këtij institucioni.

Nisja e parakoshme e shefit të misionit konfirmohet edhe nga vetë Fondi përmes një deklaratë zyrtare. Në të thuhet se nga 26 gushti deri në 9 shtator, një ekip i FMN-së ishte në Tiranë për misionin e radhës, në kuadër të marrëveshjes me qeverinë shqiptare.

Siç thotë njoftimi, stafi ka diskutuar për një sërë çështjesh me autoritetet shqiptare, duke përfshirë buxhetin e vitit 2015, reformat strukturore dhe kuadrin politik dhe qeverisës të Bankës së Shqipërisë.

Disktuimet vijojnë më tej, thotë njoftimi, dhe do të vazhdojnë në distancë dhe misioni do të rikthehet në Tiranë për të kompeltuar punët në një datë ende për t’u caktuar.

Burime brenda qeverisë i thanë Top Channel se negociatat për reformat, paketën fiskale dhe buxhetin tashmë janë mbyllur dhe palët kanë rënë dakord. E vetmja çështje për të cilën misioni ka kërkuar kohë është zgjidhja e situatës në bankën qëndrore.

Ashtu si buxheti dhe politika fiskale, edhe politika monetare është fushë e kompetencës së FMN, e njohur në marrëveshjen që ky instutucion ka me qeverinë.

Top Channel