
Nga Pusteci, ambasadori amerikan Alexander Arvizu ka kërkuar një hetim të pandikuar nga politika sa i takon çështjes së Bankës së Shqipërisë dhe nga ana tjetër ka theksuar se guvernatori i ri duhet të ketë aftësinë dhe përgjegjësinë e nevojshme për të drejtuar këtë institucion.
“E rëndësishme është që SHBA do të donte që procesi të jetë i depolitizuar. Kjo është e rëndësishme edhe për çështjen e hetimit, i cili do të vijojë, por pa patur injeksionin e politikës.
Përsa i takon qeverisjes së administrimit në Bankën e Shqipërisë, ndonëse informacioni është akoma duke ardhur, duket qartë se ka patur të meta e boshllëqe.
Dhe këto duhet të adresohen sa më shpejt të jetë e mundur dhe në mënyrë që të restaurojnë besimin e qytetarëve në integritetin e operacioneve apo veprimeve të bankës.
Sa i takon zgjedhjes së guvernatorit të ri, Këshilli Mbikëqyrës është me rëndësi që të gjejë persona kompetentë e të kualifikuar, që të jenë përgjegjës që japin dhe marrin përgjegjësi për veprimet e tyre.
Banka luan rol kritik në stabilitetin dhe rritjen ekonomike të Shqipërisë dhe aktualisht ka shenja të rimëkëmbjes së ekonomisë. Ne e mbështesim këtë, por duhet të ketë veprim të normalizuar të bankës.
Kam dëgjuar disa spekullime në lidhje me këtë dhe besoj që fokusi duhet të jetë mbi personin e duhur për punën. Duhet të jem i qartë në këtë, kur bëhet fjalë për shqiptarë të kualifikuar nuk mendoj në fakt që ka me pakicë.
Me mendjen time mund të flas për 6 persona të majtë dhe 6 të djathtë. Nuk do t’i them cilët janë, por mendoj se do ishin shumë të aftë.
Pra, pyetja është: a është politika shqiptare e përgatitur që të shikojë te shqiptarët e kualifikuar dhe të punojnë së bashku në interes të vendit? Nëse po, atëherë ka kandidatë shqiptarë.
Në rast të kundërt, në përgjithësi përvoja ime më ka mësuar se një pjesë e shqiptarëve mendojnë se të huajt janë më objektivë dhe jo subjektivë në lidhje me disa marrëzi që ndodhin këtu në Shqipëri”, deklaroi Arvizu.
Këto deklarata ambasadori amerikan i bëri pas takimit që pati me kryetarin e komunës Pustec, ku u diskutua edhe për kundërshtitë e komunitetit që ai drejton për ndarjen e re territoriale.
Top Channel