
Infektimi masiv i bagëtive të imta nga “gjuha blu” që është duke shkaktuar ngordhje masive në tufat e bagëtive të imta ka bërë që vetë ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, të zhvillojë një takim me disa prej blegtorëve, tufat e të cilëve janë dëmtuar nga ky virus.
Teksa është ndalur në disa stane në fshatin Kamenicë të komunës Mollajku dhe është njohur nga afër me gjendjen e bagëtive të imta, ministri Panariti ka dhënë garanci të plotë se blegtorët e dëmtuar do të dëmshpërblehen nga Ministria për krerët e ngordhur, ndërsa ka vënë theksin tek kujdesi që duhet treguar për të ndaluar përhapjen e infeksionit.
Sipas tij, primar duhet të ngelet izolimi i vatrave të infeksionit, ndërsa bagëtitë e ngordhura duhet të groposen: “Qeveria shqiptare është e vendosur të dëmshpërblehet për ngordhjet. Unë kam dhënë urdhër që të regjistrohen të gjitha rastet e ngordhjes e më pas do të bëhet dëmshpërblimi i plotë.”
Ministri Panariti ka sqaruar se nuk mund të ketë vaksinim për këtë infeksion, por ka pohuar se konsumi i mishit të këtyre kafshëve nuk është infektues për njerëzit, por është i dëmshëm pasi mund të shkaktojë sëmundje të tjera.
Nga ana tjetër, vetë blegtorët flasin për dëme të shumta në tufat e tyre si pasojë e infektimit, ndërsa nuk kanë marrë asnjë ndihmë nga shteti, qoftë edhe me medikamentet e nevojshme të cilat i kanë blerë vetë: “
Prej disa javësh në rajonin juglindor janë duke ngordhur qindra krerë dele, ndërsa numërohen dhjetëra vatra të përhapjes së infeksionit.
Top Channel