Energjia, ulen humbjet në rrjet

05/09/2014 00:00

Të dhënat e fundit zyrtare nga Task Forca për energjinë tregojnë se humbjet e energjisë në rrjetin e shpërndarjes u ulën me 7.3 pikë përqindje në gjashtë muajt e parë të vitit.

Sipas shifrave të shpërndara nga Ministria e Energjitikës, në periudhën janar-qershor të këtij viti, niveli mesatar i humbjeve të energjisë zbriti në 38.4 për qind nga 45.7 që ishte për të njëtën periudhë të vitit të kaluar.

Veç humbjeve task forca ka raportuar përmirësim edhe në një sërë treguesish të tjerë që lidhen me tregun e energjisë. Sipas saj, të ardhurat e mbledhura nga kompania e shpërndarjes për shtatëmujorin e këtij viti arritën në 266 milionë dollarë ose 45 milionë dollarë më shumë se një vit më parë.

Ministria thotë se përmirësimi i treguesve është rezultat i punës në terren që drejtohet nga task forca për energjinë. Sipas saj, vetëm gjatë këtij viti janë ndërprerë më shumë se 483 mijë lidhje në rrjetin e shpërndarjes, të cilat janë konstatuar si të paligjshme apo dhe të debitorëve.

Paralelisht task forca ka për të njëtën periudhë ka bërë edhe 935 kallëzime në prokurori ndaj personave apo ndërmarrjeve që kanë vjedhur energjinë. Shpërndarja mbetet hallka më problematike e sektorit të energjisë, i cili është zhytur në një krizë të thellë financiare.

Pas dështimit të privatizimit tek çekët e CEZ, treguesit e shpërndarjes u përkeqësuan në mënyrë dramatike duke infektuar zinxhir edhe hallkat e tjera të sektorit, përfshirë kompanitë prodhimin publik dhe privat, por edhe kompaninë e transmetimit.

Qeveria ka premtuar ndërhyrje për rimëkmëbjen e tij. Pak ditë më parë, ajo miratoi marrëveshjen prej 150 milionë dollarë të financimit me Bankën Botërore, që do të përdoren për investime në energji.

Por në të njëtën ditë ministri i Energjitikës, Damian Gjiknuri paralajmëroi se çmimi i energjisë do të rritet vitin që vjen, edhe pse premtoi mborjtjen e kosnumatorëve familjarë në nevojë.

Top Channel