Reagon Ministria e Energjisë ndaj akuzave të PD-së

03/09/2014 00:00

Ministria e Energjisë dhe Industrisë ka reaguar për akuzat e Partisë Demokratike.

“Hedhim poshtë me neveri tentativat e opozitës për të keqinformuar opinionin publik mbi gjendjen në të cilën ndodhet sistemi energjitik dhe bllofin e tyre se çmimi i energjisë elektrike mund të ndikojë negativisht në të ardhmen në xhepat e qytetarëve dhe familjeve shqiptare”, deklaron Ministria.

“Qytetarët shqiptarë nuk duhet të bien pre’ e propagandës së atyre që për tetë vite nuk bënë asnjë investim dhe shkatërruan sistemin energjitik”, vijon deklarata.

“Gjendja financiare e sistemit ka qenë e vështirë, vazhdon të mbetet e vështirë dhe reforma në energji mbetet një nga çështjet kritike që qeveria po adreson dhe do ta adresojë ashtu siç duhet. Në këto muaj qeverisjeje, kemi arritur të arkëtojmë 45 milionë dollarë më shumë nga sektori i shpërndarjes. Kemi ndërhyrë duke ulur me mbi 7% humbjet krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, çka tregon qartësisht progresin e këtyre muajve. Informojmë opinionin publik se studimi për politikat e çmimit të energjisë është duke u bërë nga Enti Rregullator i Energjisë, i cili po analizon treguesit duke kërkuar të dhëna nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë dhe kompanitë përbërëse të sistemit energjitik”, thuhet në deklaratën  e Ministrisë së Energjetikës.

Top Channel