
Ministri i Energjitikës, Damian Gjiknuri, paralajmëroi se çmimi i energjisë do të rritet, por – sipas tij – kjo nuk do të prekë konsumatorët në nevojë.
“Janë duke u bërë stimulimet e duhura nga Enti Rregullator i Energjisë, edhe operatorët po presin për aplikimin. Por, dua të theksoj se konsumatori familjar do të mbrohet, ashtu si dhe ai në nevojë. Për pjesën tjetër do të shohim, patjetër që duhet të kini parasysh se çmimi i energjisë ka mbi 4 vjet që nuk është reflektuar, as indeksuar”, tha ministri Gjiknuri.
Zoti Gjinkuri tha se kostot e energjisë janë rritur për shkak të keqmanxhimit të sektorit, por edhe shitjes së hidrocentraleve publike nga qeveria e kaluar. Por, sipas tij, në çmimet e reja qeveria nuk do u ngarkojë konsumatorëve koston e humbjeve.
“Një gjë do të them se humbjet, apo mungesën e aftësisë për t’i reduktuar ato nuk do të përfshihen në çmimin e energjisë. Por, atë humbje ne do ta luftojmë me çdo lloj mase, sa më radikale. Në çmimin e energjisë do të përfshihen elementët teknik të sistemit, investimet e nevojshme te të cilat do ta lajnë veten në periudhë afatgjatë, dhe do të sjellin më pas çmime të qëndrueshme në terma afatgjatë”, theksoi më tej ministri Gjiknuri.
Kreu i Energjisë doli para mediave për të njoftuar miratimin nga qeveria të marrëveshjes për paketën prej 150 milionë dollarë me Bankën Botërore, të cilat do të përdoren për investime në sektorin energjitik.
“Projekti përfshin investime në sektorin e shpërndarjes, në përmirësimin e sistemit të matjes dhe të menaxhimit, si dhe investime të nevojshme aq shumë të munguara në infrastukturën energjitike, sidomos në asetet e shpërndarjes, në mënyrë që të përmirësohet furnizimi me energji elektrike dhe njëkohësisht të ulen apo reduktohen humbjet”, përfundoi ministri i Energjisë, Darmian Gjiknuri.
Përmes këtij fondi, qeveria shpreson të përmirësojë treguesit e sektorit, i zhytur prej vitesh në një krizë të rëndë financiare. Por Partia Demokratike, në një reagim të sajin, e cilëson një lajm të keq për shqiptarët rritjen e çmimit të energjisë dhe thotë se vendimin e qeverisë e kishte paralajmëruar prej kohësh.
“Çmimi i energjisë elektrike për fat të keq do të rritet, saktësisht siç ka paralajmëruar PD. Çmimi do rritet pavarësisht shakasë së hidhur të Gjiknurit, se qeveria do rrisë çmimin por do mbrojë interesat e konsumatorit familjar. Ne e kishim paralajmëruar këtë dhe kjo është e vërteta e hidhur”, tha në një deklaratë për mediat deputetja Jorida Tabaku.
Top Channel