Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi tha se incidenti në parlament është skenar i Ali Ahmetit dhe partisë së tij BDI, për ta heshtur dhe frikësuar opozitën shqiptare.

Sipas Thaçit kanë qenë deputetët e BDI-së që me fyerjet dhe ofendimet ndaj kolegëve opozitarë kanë nxitur reagimin e deputetëve të PDSH-së dhe rrahje në kuvend.

“Unë jam plotësisht i sigurt që ky është një skenar i përgatitur mirë nga Ali Ahmeti dhe BDI, për shkak se fjalori, ofendimet dhe sharjet që bënin deputetët e BDI-së ndaj deputetëve tonë nuk kanë asgjë të përbashkët me kulturën dhe traditën shqiptare. Kur dikush të fyen në atë mënyrë, nuk ka njeri që nuk reagon në aspekt njerëzor siç reaguam deputetët tonë, nuk kishin asnjë rrugëdalje tjetër”, tha Thaçi.

Lideri i PDSH-së bëri të ditur se partia e tij po shqyrton mundësinë për të mos u kthyer më në kuvend, pasi sipas tij në këtë institucion nuk ka kushte që opozita të shprehet në mënyrë të lirë.

“Jemi afër vendimit për të mos marrë pjesë asnjë herë në punimet e atij parlamenti. Por nuk ngutemi me këtë vendim, pasi më duhen disa konsultime të brendshme strukturore partiake dhe konsultime me bashkësinë ndërkombëtare. Nuk shoh më hapësirë dhe përgjegjësia është e plotë e qeverisë dhe e kryetarit të parlamentit që nuk siguron kushte normale për të funksionuar opozita”, shtoi Thaçi.

Për incidentin e fundit që ndodhi dy ditë më parë në kuvend është diskutuar të enjten në kryesinë qendrore të PDSH-së, ku u zgjodh këshilli për organizimin e kongresit të rregullt të partisë, të cilin do ta drejtojë deputeti Orhan Ibrahimi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA