40 personat e arrestuar një ditë më parë nga Policia e Kosovës me akuzën e terrorizmit dhe pjesëmarrjes në luftërat jashtë vendit në radhët e organizatave të shpallura terroriste si ISIS dhe Al-Nusra u shoqëruan mesditën e së martës përpara gjykatës.

Për shkak të numrit të madh të personave të ndaluar është dashur zhvendosja e gjykatës në një nga kinematë e Prishtinës.

Të arrestuarit u shoqëruan nën masa të forta sigurie nga ana e Policisë së Kosovës ku ishin angazhuar edhe forcat speciale.

Për shkak të ndjeshmërisë së rastit dhe numrit të madh të të akuzuarve vendimi nga ana e gjyqtarit të procedurës paraprake ka pak gjasa që të merret shpejt. Kryetar i Gjykatës Themelore, Hamdi Ibrahimi ka thënë se kjo seancë mund të zgjasë deri në orët e vona të natës.

“Vendimi të mos e presë askush se nuk ka mundësi që të marret për faktin se numri i personave të pandehur është shumë i madh dhe vendimi i Gjykatës është për të filluar seancën sot, por nuk është detyrim i gjykatës të marrë vendime sot. Është Gjykata ajo që vlerëson. Tani mbahet seanca, varësisht prej seancës, varësisht prej asaj çka gjendet në shkresa të lëndës prej provave vendoset, por nuk vendoset sot. Kështu që mos pritni vendim sot”, tha ai.

Nga ana tjetër avokatët e të akuzuarve janë shprehur optimistë se klientët e tyre do të shpallen të pafajshëm pasi Prokuroria nuk ka prova për akuzat e ngritura.

Por nga ajo që Top Channel ka parë në kërkesën e prokurorit special Blerim Isufaj, pothuajse të gjithë të dyshuarit akuzohen për vepra të ngjashme penale, si organizimi dhe pjesëmarrja në grupe terroriste, nxitje të urrejtjes, përçarjes, rekrutim për terrorizëm etj. Mbi këto dyshime prokurori Isufaj ka kërkuar masën e paraburgimit për të gjithë të arrestuarit e një dite më parë.

Po ashtu, Top Channel ka mësuar nga burime brenda policisë se aksionet për arrestimin e personave që dyshohet se janë infiltruar nëpër organizata terroriste do të vazhdojnë edhe në ditët e ardhshme.

Mësohet se në listën e kërkimit të Policisë janë edhe mbi 150 kosovarë dhe në këtë numër në polici thonë se ka edhe femra.

Njëri prej të arrestuarëve dyshohet se kishte në plan të kryente një sulm në Doku Fest, ngjarja më e madhe kulturore në Kosovë, tha për Top Channel një burim zyrtar në kushte anonimati.

I njëjti person, thotë burimi ka pasur për qëllim të dërgojë mesazh se Prizreni është qytet mysliman si kundërpërgjigje e donacioneve amerikane për festivalin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA