Përfundoi armëpushimi humanitar

04/08/2014 00:00

Në Gaza, armëpushimet shkojnë e vijnë! Ky është konstatimi, që analistët bëjnë për situatën në Lindjen e Mesme.

Izraeli e përfundoi “armëpushimin humanitar” prej 7-orësh, të cilin e vetëshpalli mëngjesin e ditës së hënë dhe u zbatua vetëm në një pjesë të Gazës.

Por, Hamasi tha se nuk ishte në dijeni të marrëveshjes së paqes dhe disa sulme janë raportuar gjatë ditës, madje palestinezët akuzojnë izraelitët, se ata i nisin dhe i prishin sërish vet armëpushimet.

Sulmi më i rëndë i ditëve të fundit është ai i një shkolle, e cila përdorej nga palestinezët dhe ishte nën mbikqyrjen e OKB-së, që i mori jetën 10 personave dhe plagosi qindra të tjerë.

Në lidhje me shpërthimin e radhës, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, e konsideroi atë si “vepër penale”. Por, nga ana tjetër, kryeministri Benjamin Netanyahu u shfajësua dhe tha se vetë Hamasi i bën këto veprime, për t’u viktimizuar në syrin e ndërkombëtarëve.

Sipas autoriteteve, luftërat në Lindjen e Mesme i kanë marrë jetën 1800 personave, ndërkaq, 1.8 milionë banorë të Gazës janë zhvendosur prej sulmeve.

Top Channel