
Partia Demokratike, nëpërmjet deputetes Albana Vokshi, ka denoncuar edhe një herë tjetër heshtjen e Edi Ramës ndaj agresionit fizik në Parlament ndaj deputetit demokrat Gent Strazimiri dhe ndaj të “shkuarës kriminale të deputetit socialist Arben Ndoka”.
“Edi Rama hesht pas agresionit fizik të Gent Strazimirit në Kuvend. Hesht pasi bëhet fjalë për një akt mafioz të organizuar prej tij. Hesht edhe për të shkuarën kriminale të Arben Ndokës që kërcënoi me jetë zëdhënësen e Partisë Demokratike”, ka deklaruar Vokshi.
Sipas saj, mosreagimi i kryeministrit është fyes për çdo grua të këtij vendi. “Me urdhër të tij u eliminuan nga lista dy deputete gra për t’i hapur rrugën futjes në Parlament të Ndokës. Vetëm për Edi Ramën asgjë nuk ka ndodhur, ai hesht dhe bën të paditurin”, tha deputetja Vokshi.
PD: Rama, kryeministër i fasadave
Hakmerret ndaj Tiranës duke bllokuar çdo gjë
Deputeti i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani ka denoncuar në një deklaratë për mediat planet e kryeministrit Rama për qendrat e qyteteve, duke akuzuar kreun e qeverisë për bllokimin e gjithë projekteve zhvilluese të kryeqytetit.
“Pas 300 ditë dështime, pa asnjë bilanc pozitiv, pa asnjë investim, pa asnjë vend të ri pune, Edi Rama u rikthye tek fasadat, kësaj here tek ato të Korçës. Si ish-kryebashkiak i dështuar, Edi Rama në këto 300 ditë është kujdesur vetëm të bllokojë çdo investim për qytetarët e Tiranës”, ka deklaruar Bogdani.
Sipas tij, në këto 300 ditë Rama ka bllokuar strehimin dhe banesat sociale, kopshte, çerdhe e shkolla të reja, si dhe çdo investim për qytetarët e Tiranës.
“Në 300 ditë Edi Rama bllokoi varrezat e qytetit, të cilat për më tepër i kishte lënë në mëshirë të fatit për 11 vite me radhë kur ishte kryebashkiak. Gjithashtu, në këto 300 ditë Edi Rama bllokoi zgjatimin e Bulevardit. Fakti është se në 300 ditë Edi Rama nuk akordoi asnjë lek për investime për qytetin dhe qytetarët e Tiranës”, ka vijuar deputeti i PD.
Ai ka shtuar më tej se, kjo është një hakmarrje primitive që Rama sot si kryeministër ua bën qytetarëve të Tiranës, të cilët dje e nxorrën nga Bashkia e kryeqytetit.
Top Channel